Gjykata Themelore e Gjilanit e ka shpallur fajtore të akuzuarën Anita Sylën, duke e dënuar me 1 mijë euro gjobë, për akuzën se nën ndikimin e substancave narkotike, e kishte plagosur aksidentalisht të dashurin e saj Princ Valentino Corleone, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Në rast se e akuzuara nuk e paguan gjobën, dënimi me gjobë i zëvendësohet në dënim me burgim prej 50 ditësh.
Gazeta Sinjali ka publikuar dje aktakuzën për këtë rast.
Shtëpia ku bashkëjetonin prej vitesh personazhi i njohur për publikun, Princ Valentino Corleone dhe Anita Syla, mëngjesin e 11 gushtit u shndërrua në një skenë krimi. 22-vjeçarja e la të plagosur Valin, pasi e gjuajti me armë zjarri, për çka përfundoi në pranga të Policisë. Ndaj saj u kërkua paraburgim, masë kjo në të cilën ndodhet aktualisht, ndërkohë që tashmë është ngritur edhe aktakuzë për disa vepra penale.
Gjuajtja me armë i kushtoi, për çka ajo tashmë po akuzohet për veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
“Më datë 11.08.2022, rreth orës 03:45 min, në Gjilan, Lagja Dardania I, me armë ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që deri sa e pandehura ka qenë duke ndejtur në dhomën e ndejës me të dëmtuarin PrincValentino Carleone dhe mysafiren e tyre Marija Zhivojinoviq, merr Pistoletën e llojit BLOE TR 17, cal. 9mm, me nr. serik B16Y3-21090416, e mban në dorë, me ç’rast nga pa kujdesia e shkrep revolen një herë, ku për pasoj godet tani të dëmtuarin PrincValentino Carleone, në këmbën e djathtë, në pjesën e muskulit nën gju, të cilit i shkakton lëndime të lehta trupore, konstatuar me ekspertizën mjeko ligjore të datës 17.09.2022, lëshuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Prishtinë, dhe në këtë mënyrë si pasojë e veprimit të rrezikshëm të të pandehurës, është shkaktuar rrezik i madh për jetën e njerëzve.”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Sinjali.
Anita, emri i së cilës shpesh herë ka mbuluar ballinat e shtypit rozë, në videot e publikuara në rrjete sociale ka treguar vazhdimisht raportin e mirë që kishte me Valin. Ajo madje i kishte lënë atij nofkën ‘Father King’. Por për shkak të raportit e jetesës së saj me Valin ajo u fut në telashe me ligjin.
Përveç shkaktimit të rrezikut, Prokuroria po e akuzon edhe për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Në kohë të papërcaktuar, e deri më datë 11.08.2022, në Gjilan, e pandehura ka siguruar dhe mbajt në pronësi në mënyrë të paautorizuar armë në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë: Pistoletën e llojit BLOE TR 17, cal 9mm, me nr. serik B16Y3-21090416, 47 fishek të calibrit 9mm, dhe një karikator, me ç’rast natën kritike janë konfiskuar nga ana e Policisë së Kosovës.”, vazhdon tutje aktakuza.
Në aktakuzën ndaj saj thuhet se e njëjta ka poseduar edhe narkotikë, që siç mëson Sinjali, ajo ka qenë përdoruese e drogës për një kohë të gjatë.
“Më datë 11.08.2022, rreth orës 03:45 min, në Gjilan në Lagjen Dardania I, e pandehura pa autorizim ka poseduar substancë narkotike, në atë mënyrë që pas incidentit të ndodhur në shtëpinë e të dëmtuarit PrincValentino Carleone, me të arritur zyrtarët policor në vendin e ngjarjes, gjejnë dhe konfiskojnë dy tuba mbetje të substancës narkotike të llojit Kokainë, të cilën substancë e ka përdorë e pandehura.”