Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të akuzuarve, K. R. dhe B. M., duke i shqiptuar dënim nga 6 vjet burgim dhe dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro për secilin prej tyre.
Të akuzuarit me datën 29 tetor 2019, rreth orës 02:00, në pompën e benzinës, “Veda Petroll”, në fshatin Pasjan, komuna e Parteshit, kanë kryer grabitje nën kërcënimin e armës, fillimisht kanë sulmuar fizikisht punëtorët, e më pas marrin shumën prej 500 euro dhe ikin nga vendi i ngjarjes.
Po ashtu, me datë 9 nëntor 2018, rreth orës 19:20 minuta, në barnatoren “Lili” të fshatit Pasjan, të pandehurit të maskuar kanë tentuar të kryejnë grabitje, mirëpo pas britmave të punëtores, të pandehurit kanë ikur nga vendi i ngjarjes.
Trupi gjykues ka nxjerrë aktgjykim dënues, ku për dy dispozita të aktakuzës ka shqiptuar dënim prej 6 vjetëve burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për secilin të akuzuar.
Gjykata ka nxjerrë aktvendim ndaj të akuzuarve, ku i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit./Gazeta Sinjali/