Tre muaj më parë Gjykata Themelore në Pejë kishte dënuar me vetëm 8 muaj burgim të akuzuarin për përdhunimin e një 15-vjeçareje, vepër e cila kishte ndodhur në vitin 2012, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurse, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sot, tre muaj pas këtij vendimi, nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se ndihet e shqetësuar me vendimin e gjykatës, të njëjtin e quan absurd e të padrejtë.
“Sapo përfundova fjalën në konferencën që i dedikohej viktimave të krimit, u njoftova me lajmin që dhunuesi seksual ndaj vajzës 15 vjeçare qenka dënuar me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, pa asnjë rrethanë rënduese dhe fatkeqësisht shumë rrethana lehtësuese. Jam shumë e shqetësuar në raport me këto vendime absurde të padrejta dhe që motivojnë dhunuesit dhe që dhunojnë për së dyti herë viktimat”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Kujtojmë se për një vepër të tillë sipas Ligjit dënimet parashihen të jenë nga 5 deri në 20 vite burgim.