image Dënim burgimi dhe gjobë, ndaj tre të akuzuarve për narkotik në Ferizaj

Drejtësi

Dënim burgimi dhe gjobë, ndaj tre të akuzuarve për narkotik në Ferizaj

news image

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me dy vite burgim dhe me dënim me gjobë në shumë prej nëntëqind eurove të pandehurin Sh.M. i cili akuzohet për kryerjen e veprave penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, transmeton Gazeta Sinjali.

Gjithashtu kjo gjykatë ka dënuar me gjobë në shumën prej 500 eurove të pandehurin B.H. dhe të pandehurin A.A. gjithashtu me gjobë me shumën prej 500 eurove, pasi të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Posedimi i pa autorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

“Kryetari i Trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Sahit Krasniqi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, pranimit të fajësisë nga të pandehurit, të pandehurin Sh.M. e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej nëntëqind (900) euro, të pandehurin B.H. e gjykoi me dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) euro si dhe të pandehurit A.A.. dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) euro”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të kësaj gjykate i pandehuri Sh.M. akuzohet se më 30 qershor 2021 në Ferizaj, pa autorizim ka shpërndarë dhe shitë substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që ditën kritike pas marrëveshjes paraprake, i shet të pandehurit B.H. shtatë qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 2.73 gram, për çmimin prej 25 € dhe menjëherë pas kësaj, zihet në flagrancë nga ana e policisë duke bërë shitblerjen e substancës narkotike të llojit marihuanë me të pandehurin A.A. në banesën e tij, ndërsa me rastin e kontrollit të banesës nga ana e Policisë së Kosovës, në dhomën e gjumit janë gjetur dhe sekuestruar edhe 25 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 8.25 gram, të përgatitura për shitje, një qese tjetër me peshë 6.54 gram, 80 copë qese të zbrazëta të plastikës që shërbejnë për mbushjen e marhuanës, një qese me 10 copë fara të substancës narkotike të llojit Kanabis Sativa me peshë 0.4 gram, si dhe një peshore për matjen e marihuanës.

Ndërsa të pandehurit B.H. dhe A.A. po të njëjtën ditë pa autorizim kanë poseduar substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 2.73 gram, të vendosur në shtatë qese të vogla najloni, të cilat paraprakisht i kishte blerë nga i pandehuri Sh.M.

/Gazeta Sinjali/