image Dëmtohen ulëset dhe kolektori i ujit në oborrin e një shkolle në Ferizaj, akuzohen nxënësit

Siguri

Dëmtohen ulëset dhe kolektori i ujit në oborrin e një shkolle në Ferizaj, akuzohen nxënësit

news image

Dy ulëse të drurit dhe kolektori i ujit në oborrin e shkollës “Dëshmorët e Koshares”, në Koshare të Ferizajt, janë dëmtuar mbrëmë dhe për këto dëme po akuzohen nxënësit e kësaj shkolle, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti është raportuar në Polici dhe për momentin nuk ka persona të dyshuar.

“Sot, në orën 09:00 nga shkolla ‘Dëshmorët e Koshares’ jemi njoftuar se nga persona të panjohur gjatë mbrëmjes janë dëmtu dy ulëse në oborrin e shkollës dhe kolektorin e ujit. Është iniciuar rasti si ‘Dëmtim prone’, këto janë të dhënat e para, ky rast pastaj i dërgohet hetimeve të stacionit policor në Ferizaj”, tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Mirëpo, në kushte anonimiteti një sinjalizues i kanë thënë Sinjalit se dëmet janë kryer nga disa nxënës të papërgjegjshëm, të cilët bëjnë “sherre dhe probleme” në vazhdimësi. Madje, sipas këtij sinjalizuesi, nxënësit në fjalë sulmojnë fizikisht edhe arsimtarët, me arsyetimin se i “mbron ligji, pasi që janë fëmijë”.

“Nxënësit e kësaj shkolle bëjnë dëme dhe thonë: ‘Nuk keni çka të bëni se neve na mbron ligji’. Ka edhe raste kur arsimtarët i kapin për fyti’. Këto ulëse janë dëmtuar dje, ndërkaq rasti është paraqitur sot në polici”, tha sinjalizuesi.

Gazeta Sinjali ka siguruar një video në të cilën shihen dëmet që janë shkaktuar nga të dyshuar ende të panjohur dhe vetura e Policisë e cila gjendet në oborrin e shkollës./GazetaSinjali/