Katër televizione të mëdha, T7, RTV Dukagjini, RTV 21 dhe Kanal 10 janë solidarizuar me Klan Kosovën, pasi Ministria e Tregtisë vendosi që këtij mediumi t’ia pezullonte certifikatën e biznesit.
Forma me të cilën janë solidarizuar këto televizione është duke vendosur në ekren për 5 minuta moton “Demokracia vdes në errësirë“.
Për këtë ka treguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
“Në shenjë solidarizimi me kolegët e Klan Kosova, pas vendimit të MINT për pezullimin e certifikatës së biznesit të këtij mediumi, disa nga mediet kryesore në vend: RTV Dukagjini, T7, RTV21, Kanal10, sonte në orën 20:00, kanë vendosur për pesë minuta në ekranet e tyre moton “Demokracia vdes në errësirë! #betejaemedias”.
Për këtë rast kanë reaguar edhe Bashkimi Evropian dhe ambasadorët e QUINT’it.
“Të shqetësuar për vendimin e MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova, janë shprehur edhe organizatat e ndryshme të lirisë së medias në botë, Bashkimi Evropian, dhe ambasadorët e QUINT-it në Kosovë”, thuhet në deklaratën e AGK-së.
“AGK-ja, bën thirrje që të gjitha palët e përfshira t’i japin kohë procesit të kompletimit të dokumentacionit të Klan Kosovës për KPM-në”, mbaron deklarata.