image Demaj: Serbia të marrë përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë dhe të dënojë kriminelët

Kosovë

Demaj: Serbia të marrë përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë dhe të dënojë kriminelët

news image

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Frashër Demaj ka kërkuar që Serbia të hapë arkivat e saj dhe të marrë përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për fshehjen e rreth 1 mijë e 600 personave të zhdukur nga Serbia dhe ndriçimin e fatit të tyre, Demaj tha se mungesa e evidencave për krimet e kryera po paraqet problem për përmbylljen e këtij procesi.

Ai kujtoi se përveç të vrarëve, të masakruarve, të pagjeturve dhe të zhdukurve, Serbia mban përgjegjësi edhe për 20 mijë femra të dhunuara në Kosovë gjatë viteve 1997-1999.

Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, ai tha se manipulimi me të pagjeturit është krim i dyfishtë.

Tutje, ai theksoi se pavarësisht punës së vazhdueshme të institucioneve të Kosovës dhe shoqatave të familjarëve të të pagjeturve, ende nuk është zbardhur fati i 1 mijë e 600 e 43 personave të pagjetur. E për këtë, ai kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të përkrahë qeverinë që të përmbyllë këtë proces kaq të ndjeshëm.

“Në këto momente delikate dhe tragjike për shoqërinë tonë, Kuvendi i Kosovës duhet të gjejë gatishmëri për përkrahje të pakushtëzuar për Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që çështja e të pagjeturve të përmbyllet me gjetjen dhe identifikimin e tyre, sepse vetëm kështu tregohemi të përgjegjshëm përballë kësaj tragjedie kombëtare. Nga ana tjetër, Serbia duhet të pranojë përgjegjësinë për krimet e kryera, të dënojë kriminelët dhe t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për dhunën, vrasjet dhe masakrat që kanë bërë ndaj qytetarëve të vendit tonë”, tha Demaj.

Ai theksoi se përgjegjësia për krimet e kryera i takon Serbisë, sidomos me gjetjen e varrezave masive në Serbi, ku janë gjetur trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë. Ndërsa u shpreh se krijimi i evidencave për krimet e luftës do të ndihmonte në përmbylljen e këtij procesi.

“Duke iu referuar institucioneve profesionale në territorin e Kosovës dhe në Serbi, janë zbuluar një numër i madh i varrezave masive me trupa të të vrarëve dhe të të masakruarve gjatë luftës. Prej marsit të vitit 2000 janë identifikuar 529 varreza masive, shumica prej tyre në Kosovë. Në këto varreza janë gjetur trupat e pajetë të rreth 4 mijë e 300 personave të vrarë nga ushtria, policia dhe formacionet paraushtarake serbe. Mirëpo, mungesa e evidencave të plota për krimet e kryera gjatë luftës, dhe pamundësia për mbledhjen e dëshmive të plota edhe sot 21 vjet pas luftës, po krijon vështirësi në përmbylljen e këtij procesi të dhimbshëm e të rëndë për familjarët, të ndjeshëm e prekës për shoqërinë tonë dhe mizor për ata që kryen krime të rënda në shekullin e civilizimit”, tha Demaj.

Demaj potencoi se burimet serbe pohojnë se në Serbi ka rreth 7 varreza masive. Teksa potencoi se për zbardhjen e fatit të të pagjeturve duhet të kontribuojë secili qytetar pavarësisht etnisë, institucionet e Kosovës, Serbia si dhe burimet e Tribunalit të Hagës, të cilat kanë krijuar një arkiv për krimet gjatë procesit të gjykimit për krime lufte të kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq.

/Gazeta Sinjali/