image Blerta Deliu: Nuk mendoj se grupi “Kumanova” janë terroristë

Politikë

Blerta Deliu: Nuk mendoj se grupi “Kumanova” janë terroristë

news image

Deputetja Blerta Deliu-Kodra në debatin e sotëm që u zhvillua në seancën e Kuvendit të Kosovës, i tha Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se kunati i saj është akuzuar për terrorizëm në Maqedoni.

Ky deklarim i Deliu – Kodrës, ngriti reagime të kunatit të ministres Haxhiu, Muhamet Krasniqit, i njohur me nofkën “Komandant Malisheva”.

“Nëse ti rreshtohesh në akuza që na kanë dhënë këta, atëherë de-fakto po del në anën e tyre, ne e dimë se prej këtyre nuk presim gjë më të mirë, as prej Serbisë e as prej Rusisë”, tha Krasniqi.

Mirëpo, para pak minutash Deliu-Kodra, përmes një postimi në Facebook, shkroi se këtë cilësim e ka bërë pa qëllim.

 “Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë ‘terroristë‘”, shkroi Deliu-Kodra.

Ajo tha se ndjen keqardhje nëse deklarata e saj ka lënduar dikë në çfarëdo forme.

Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë ç’rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh”, shtoi ajo.

Postimi i plotë:

Të dashur bashkëqytetarë të Kosovës dhe bashkëkombës tanë.

Një seancë e zakonshme që do të duhej të përmbushte misionin legjislativ të Kuvendit, sot u shndërrua në arenë të sulmeve e shpifjeve më të ulta nga Ministrja Albulena Haxhiu, e cila duke dëshmuar në mënyrë konsistente paaftësinë e saj, paturpësisht shfrytëzon besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për ta drejtuar këtë paaftësi si mllef patetik ndaj opozitës, në këtë rast, ndaj meje si deputete e Kuvendit.

Ky pushtet arrogant për nga natyra, tashmë ka marrë formë edhe përmbajtje të hapur, me sulme e shpifje, si mënyra e vetme për t’iu shmangur ballafaqimit të njëmend me fakte e argumente, pikërisht si mënyrë për të amnistuar dështimet dhe paaftësinë. Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë “terroristë”.

Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh. Në anën tjetër, përpjekja për ta përdorur këtë diskurs nga reagimet e pushtetit arrogant, si instrument për të bërë çfarëdo cilësimi e ndërlidhje që lëndon kauzën tonë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda këtij konteksti, me mua si politikane dhe deputete, janë irracionalitet.

Unë, para se të jem deputete, i takojë dy familjeve Kodra (Prekaz) dhe Deliu (Rezalle), të cilat kanë kontribuar dhe dhënë shumë për vendin dhe lirinë tonë. Jam e vetëdijshme se kurrë nuk mund t’u dalim hak atyre që kanë dhënë gjithçka për këtë liri.

Përulja dhe respekti shkon për të gjithë ata që nuk kanë kursyer asgjë për liri.

/GazetaSinjali/