image Deliu: ETIAS nuk është kriter shtesë, do të kemi lajme të mira për liberalizimin e vizave

Politikë

Deliu: ETIAS nuk është kriter shtesë, do të kemi lajme të mira për liberalizimin e vizave

news image

Në mbledhjen e mbyllur të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, raportohet se është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ky propozim sipas raportimit nga REL besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha për Sinjalin se sistemi ETIAS nuk është kriter shtesë pasi këtë sistem obligohen ta kenë mbi 60 shtete.

“Nuk është kriter shtesë. Mbi 60 shtete obligohen ta kenë këtë sistem. Ende është herët për epilog përfundimtar”, u shpreh ajo.

Anëtarja e Komisionit për Integrim Evropian shtoi se “nuk ka arsye për ta shtyer liberalizimin e vizave për Kosovën” pasi thotë se kushtet janë plotësuar kohë më parë.

E në fund, u shpreh se beson që do të ketë lajme të mira në lidhje me liberalizmin e vizave.

Çka është sistemi ETIAS që po ndërlidhet me heqjen e vizave?

Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), është sistem i krijuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të mbrojtjes dhe forcimit të kufijve. Qëllimi i tij është identifikimi i rreziqeve dhe i kërcënimeve që lidhen me turistët që udhëtojnë në cilindo shtet të zonës Schengen.

Autorizimi i ETIAS-it do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori i 2023-s, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. Ky sistem do të bëhet kërkesë e detyrueshme hyrjeje.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë, zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.

Përmes këtij sistemi për autorizim të udhëtimit do të mblidhen dhe do të përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se një person nuk përbën kërcënim për sigurinë.

Ky sistem është krejtësisht elektronik, që mundëson marrjen e informacioneve për banorët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Zonën Schengen.

Ky sistem është i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA, që shërben për qëllime të njëjta.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.

Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.

/GazetaSinjali/