Delegacioni i Serbisë, i drejtuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u nis sot për në Washington.
Atje ky delegacion do të zhvillojë takim me delegacionin e Kosovës të kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti në Shtëpinë e Bardhë, nën organizimin e Richard Grenellit, të dërguarit të posaçëm të presidentit Donald Trump për Dialogun Kosovë – Serbi.
Ndryshe nga delegacioni serb, ai kosovar ka udhëtuar drejt Washingtonit më 31 korrik, 5 ditë para takimit i cili pritet të mbahet më 4 shtator.
Vuçiq para se të nisej për SHBA ka deklaruar se Beogradi është “dhjetë herë më i gatshëm se Prishtina”, duke theksuar se ai po përgatitej për të gjitha opsionet.
“Çfarëdo që të thotë dhe të mendojë dikush, ne do të jemi të gatshëm për të gjitha opsionet. Ne e dimë çdo fshat dhe çdo marrëveshje, ndryshe nga ata që vijnë dhe ata as nuk e dinë se cilat marrëveshje kemi nënshkruar. Por, unë kurrë nuk i nënvlerësoj ato,” tha Vuçiq.
Vuçiq është duke udhëtuar pak ditë me vonesë për shkak se kishte marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bled me temë “Evropa pas Brexit dhe COVID-19”.
Mediat serbe kanë deklaruar se pos Vuçiqit, pjesë e delegacionit të Serbisë janë edhe: Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Marko Gjuriq, Ministri i Financave, Siniša Mali dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Marko Čadež, shkruan Danas./Gazeta Sinjali/