Kryetari Glauk Konjufca dhe Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit po merr pjesë në punimet e SEECP-së në Greqi, raporton Gazeta Sinjali.
Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Glauk Konjufca dhe në përbërje të deputetëve Fitore Pacolli Dalipi, Mefail Bajqinovci, anëtarë, dhe deputetëve Jeta Statovci dhe Ardian Gola, zëvendës anëtarë, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së), i cili po mbahet më 1-2 qershor 2022 në Parlamentin e Greqisë, në Athinë.
Sesioni Plenar ka filluar punimet sot me takimet e Komisioneve të Përgjithshme dhe Komisionit të Përhershëm Qendror.
Gjatë takimeve të ditës së parë të punës, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës u përfaqësua nga deputetët Fitore Pacolli Dalipi, anëtare e Komisionit të Përhershëm Qendror, Mefail Bajqinovci, anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, Jeta Statovci, zëvendës anëtare e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, si dhe Ardian Gola, zëvendës anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë në AP të SEECP-së.
Gjatë takimeve u votuan dokumentet e Komisioneve të Përgjithshme, si dhe u vendos që Kosova të kryesojë dy komisionet e përgjithshme të Asamblesë, Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, dhe Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë.
Ky është një sukses i radhës, me të cilin dëshmohet edhe njëherë gatishmëria e Kuvendit të Republikës Kosovës për përfaqësim sa më të denjë në skenën ndërkombëtare.
Ndryshe, Kosova është anëtare e SEECP-së me të drejta të plota qysh nga viti 2015, mirëpo intensifikimi i marrëdhënieve dhe shtimi i rolit të Kosovës ka filluar në vitin 2019 dhe tani ky intensifikim është në rritje të vazhdueshme.
Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i kryesuar nga Greqia si Kryesuese në detyrë, do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme ku pritet miratimi i dokumentit kryesor, Deklaratës së përbashkët përfundimtare, nga Kryetarët e Kuvendeve të vendeve anëtare.