image Del para Gjykatës frizeri ferizajas i dyshuar për shitblerje të drogës, ky është vendimi që u mor

Drejtësi

Del para Gjykatës frizeri ferizajas i dyshuar për shitblerje të drogës, ky është vendimi që u mor

news image

Më 13 qershor, Policia e rajonit të Ferizajt ka zhvilluar një aksion kundër drogës, që rezultoi me arrestimin e një 27-vjeçari dhe konfiskimin e rreth 15 qeseve me substancë të dyshuar narkotike marihuanë dhe kokainë. I dyshuari për këtë rast, Ramadan Gajtani, tashmë është dërguar në paraburgim, me vendim të Gjykatës Themelore në Ferizaj, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Prokuroria dhe kanë bërë të ditur se i njëjti dyshohet për shitblerje dhe shpërndarje të substancave narkotike.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me date 14.06.2022 ka paraqitur Kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Ramadan Gajtani, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge  nga neni 267 paragrafi 1 të KPRK-së, e që e njëjta kërkesë është aprovuar nga ana Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

27-vjeçari u arrestua pasi Policia kreu bastisje në lokalin ku ai ushtronte veprimtarinë prej frizeri, si dhe në shtëpinë e tij, ku u gjetën 13 qese me  substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë, dy  peshore digjitale, tetë qese najloni të zbrazura, një telefon dhe 90 euro para të gatshme.

Pas arrestimit të të dyshuarit, hetuesit policorë kanë intervistuar edhe dy dëshmitarë, të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kushdo që pa autorizim blen ose posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofron për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge, dënohet me gjobë dhe me burgim prej dy (2) deri në tetë (8) vjet.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/