Certifikuesi Enver Hajrullahu që punon në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka reaguar pas publikimit të incizimeve nga gazeta Nacionale.
Hajrullahu i cili në incizime flet për presionet e mëdha për ta nënshkruar pranimin e grurit edhe pse mungonin 9 tonë, ka bërë të ditur se incizimet nuk i ka bërë ai. Ai ka thënë se nuk është as burimi i Nacionales.
Në një postim në facebook, Hajrullahu ka shkruar se nuk ka pasur asnjë qëllim ndaj asnjë zyrtari, por është kujdesur t’i respektoj rregullat dhe procedurat ligjore.
“Sot, është publikuar një video në mediumin Nacionale.com, si protagonist i asaj video jam Unë. Dua t’iu njoftoj se këto audio-incizime nuk kanë rrjedhur nga Unë, dhe i njëjti është bërë në hapësirat e MINT përkatësisht në njërën nga zyrat e Departamentit të Financave, duke mos qenë në dijeni që po ndodh një incizim i tillë, dhe Unë nuk jam burim i mediumit në fjalë. Kjo bisedë ka ndodhur përafërsisht në fund të korrikut të vitit 2022”, ka shkruar Hajruallahu.
“Me përgjegjësinë më të lartë morale dhe profesionale deklaroj se nuk kam patur kurrfarë qëllimi kundër asnjë zyrtari, por jam kujdesur për t’i respektuar procedurat ligjore”, thuhet në postimin e tij.
Reagimi i tij erdhi pas publikimit të incizimeve nga Nacionalja, të cilat shkaktuan shumë reagime.