Drejtori i Klinikës Torakale në QKUK, Saudin Maliqi ,tash e tri ditë nuk është paraqitur në vendin e tij të dytë të punës në spitalin “Euromed”.
Dr. Maliqi dyshohet se dje rreth orës 17:30 e ka sulmuar fizikisht një femër në parkingun e spitalit. Por nga spitali ku ai punon, thonë se nuk dinë asgjë për këtë incident.
Të kontaktuar nga Gazeta Sinjali për sqarimin e këtij rasti, nga spitali “Euromed” kanë thënë se mjeku nuk ka qenë në punë tash e tri ditë dhe se nuk janë të informuar për një incident të tillë.
“Nuk jemi të informuar për këtë rast sepse Dr. Saudini që tri ditë nuk është në klinikë. Të hën ka qenë së fundmi, të marten, të mërkurën dhe dje nuk ka qenë këtu. Para tri dite ka qenë me i kry kontrollat si zakonisht edhe ka shku. S’jemi të informuar për asnjë incident. As sigurimi i spitalit nuk na ka thënë që ka pasur ndonjë incident, kurrkush nuk na ka informu”, i ka thënë gazetës një zyrtare për media në spitalin “Euromed”.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, gruaja e cila pretendon se është sulmuar nga mjeku, është ankuar për dhimbje gjiri për shkak të, siç ka thënë, goditjes nga përplasja e derës së veturës nga drejtori i Klinikës Torakale, Saudin Maliqi.
Viktima e cila ka qenë paciente e mjekut Saudin Maliqi ka deklaruar se pak ditë më parë kishte bërë edhe rezonancë magnetike për të parë gjendjen aktuale të gjirit, por lëndimet qe mori mbrëmë thotë se i kanë sjellë dhimbje të gjirit.
Në raportin e mjekut familjar i cili i kishte dhënë ndihmën e parë në stacionin e policisë në Fushë Kosovë e të cilin e ka siguruar Gazeta Sinjali rasti është regjsitruar si “ushtrim dhune”.
Në anën tjetër, Dr. Saudin Maliqi, i kontaktuar nga gazeta, ka mohuar ta ketë sulmuar pacienten e tij.
Pas insistimit të gazetës për ta sqaruar rastin, mjeku Saudin Maliqi e ka implikuar sigurimin e spitalit “Euromed” në këtë incident, përderisa ka konfirmuar se viktima është paciente e tij. /Gazeta Sinjali/