Kongresisti amerikan Joe Wilson e ka quajtur “të neveritshme” deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila tha ditë më parë se “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” nëse do të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999.
Sipas kongresistit amerikan, komentet e zyrtares së duhet të shërbejnë si shkas që Asambleja Parlamentare e OSBE-së të refuzojë kërkesën e Serbisë për mbajtjen e takimit të saj vjetor më 2027 në Beograd.
“Këto deklarata të neveritshme dhe nxitëse nga një udhëheqëse e Qeverisë së Serbisë janë pikërisht arsyeja pse Asambleja Parlamentare e OSBE-së nuk duhet ta shqyrtojë kandidaturën e Beogradit për të qenë mikpritës i takimit vjetor të vitit 2027”.
“OSBE-ja është krijuar për të ndërtuar konsensus në Evropë, jo për të rindezur tensionet etnike”, shkroi Wilson në X ku shpërndau edhe një artikull të deklaratave të Paunoviqit,
Deklaratat e Paunoviqit për spastrim etnik të Kosovës erdhën gjatë një emisioni për televizionin serb, “Kurir”. Ato u pritën me reagime të ashpra nga lidershipi kosovar, duke e shpallur atë “non grata”.
Reagime pati edhe nga Evropa e ShBA-ja.
These disgusting and inflammatory remarks by a leader in the Serbian government is precisely why the @oscepa should not consider Belgrade's bid to host the 2027 annual meeting. The OSCE is designed to build consensus in Europe, not reignite ethnic tensions. #Charleston2027…
— Joe Wilson (@RepJoeWilson) July 21, 2026
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!