Hulumtuesi në Forumin Ballkanik, Samir Behariq tha se emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, është përgjigjur në mënyrë arrogante kur e pyeti për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sipas tij, Lajçak u përgjigj në mënyrë të neveritshme.
“E pyeta Lajçakun se pse liderët e Ballkanit Perëndimor duhet t’iu besojnë premtimeve të BE-së, përderisa BE-ja ka dështuar që të liberalizojë vizat për Kosovën dhe të nisë bisedimet për pranimin e Maqedonisë së Veriut. Përgjigjja e tij ishte e neveritshme: “Nëse nuk i besoni BE-së, shkoni diku tjetër”, ka shkruar Behariq në Twitter.
Ai kishte shtuar se “është bërë trend që të kritikohet BE-ja për liberalizimin e vizave, por se liderët e Kosovës duhet të shkojnë të kërkojnë pajtim në shtetet që po e bllokojnë lirinë e lëvizjes”.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka kritikuar BE-në duke thënë se vendet e Ballkanit gjithmonë përballen me thirrjen “nëse e përmbushni këtë, ne do t’i përmbahemi zotimeve”, por se në realitet “BE-ja s’po i përmbahet zotimeve”. Ka përmendur këtu çështjen e ndryshimit të emrit të shtetit, por ka theksuar se BE-ja s’ka kryer zotimet që i kishte dhënë.
Behariq në një postim tjetër në Twitter ka publikuar një billbord të presidentit kinez në Serbi, duke thënë se nuk mund ta gjesh një tjetër ku mund të shkruajë “Faleminderit Von der Leyen”.