image Viti i ri, suksesi i njëjtë - Xhudo, "ambasadori" më i mirë i Kosovës

Sporte Luftarake

Sport/ Viti i ri, suksesi i njëjtë – Xhudo, “ambasadori” më i mirë i Kosovës

news image

Viti 2019 u përmbyll me sukses të jashtëzakonshëm për xhudon e Kosovës.

Xhudistët tanë arritën suksese të mëdha duke”rrëmbyer” medalje të shumta.

Plot 36 medalje nga Kampionatet e Grand Slam-et më prestigjiozë botëror bënë që flamuri i Kosovës të ngrihej lartë edhe në shtetet ku se kanë njohur pavarësinë.

17 medalje të arta, 9 të argjendta dhe 10 të bronzta ishte bilanci i xhudos kosovare vitin e kaluar, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndërsa, viti 2020 dhe dekada e re s’kishte se si të fillonte ndryshe.

Pasi arriti medaljen e bronztë në Grand Prix Tel Aviv në janar, Nora Gjakova shënoi tjetër sukses në karrierën e saj.

Ajo të shtunën fitoi medaljen e bronztë në Grand Slamin prestigjioz të Parisit.

Suksesit të Norës në Paris i parapriu Distria Krasniqi, e cila mori medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogramë duke shënuar tjetër sukses dhe duke bërë që kryeqyteti francez të frymojë shqip.

Tash e sa vite, xhudo është sporti lider në Kosovë, ndërsa sukseset e xhudistëve kosovarë janë të panumërta.

Shumë medalje e luftëra të fituar nga ta kanë bërë që bota të flasë për një vend të vogël diku në Ballkan./Gazeta Sinjali/