Komuniteti i sportit në Deçan tashmë ka siguruar hapësirë për të zhvilluar aktivitetin e tij, kjo pasi sot në këtë komunë u inaugurua palestra sportive.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me ndërtimin e kësaj palestre sportive po kompletohet infrastruktura sportive që ndihmon në ecjen përpara të sportistëve kosovarë drejt arenës ndërkombëtare.
“Është me interes se sot është kompletuar kjo sallë që sipas informatave të ministres Dumoshi është e standardeve të larta ndërkombëtare për hendboll dhe basketboll. Kështu, Deçani dhe komunat tjera gjithandej nëpër Kosovë po e kompletojnë infrastrukturën sportive për të qenë pjesë e komunitetit sportiv ndërkombëtar. Deçanit, Pejës e kësaj ane nuk i mungojnë sportistët në plot sporte e keni bërë krenar Kosovën ”, tha Hoti.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi tha se në planin qeverisës janë rreth 18 projekte për sportin dhe kulturën e Deçanit.
Derisa uroi sportistët për këtë palestër, Dumoshi theksoi se ata janë e ardhmja e vendit.
“Programi i qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit është për zhvillim të sportit, andaj ne në komunën e Deçanit kemi diku 18 projekte. Komuna e Deçanit i ka specifikat e veta ne përveç sportit dhe këtë sallë e cila është ndërtuar me të gjitha normat ndërkombëtare ku do luhen jo vetëm lojërat kombëtare, por edhe ndërkombëtare kjo flet shumë. Më vjen keq qe sportistët në këtë kohë pandemie nuk i kemi këtu por prapë ata janë e sotmja dhe e nesërmja jonë”, u shpreh Dumoshi.
Kurse, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se pas 12 vitesh përpjekje më në fund edhe sportistët e Deçanit e kanë shtëpinë e tyre.
“Më në fund pas shumë vitesh pas shumë përpjekjesh që janë përafërsisht rreth 12 vite komuniteti sportiv, sportdashësit e kanë shtëpinë e vetë. Faleminderit prej të gjithëve që keni kontribuua që ta kemi një objekt të tillë është fat për ne dhe po ashtu suksesi do të jetë i siguruar për ne”, u shpreh Ramosaj. /Gazeta Sinjali/