Gazeta Sinjali të enjten ka raportuar për një rast të dhunës në familje në fshatin Gajre të Kaçanikut, ku një burrë u denoncua nga bashkëshortja e tij. 49-vjeçari si rezultat i denoncimit për dhunë psikike ndaj bashkëshortes, ka përfunduar në ndalim policor.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për Bekim Zenelin, ndaj të cilit është parashtruar edhe kërkesa për paraburgim.
Sinjali mëson se Zeneli sot ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Por si ndodhi i gjithë rasti?
Çifti nga fshati Gajre tash e një kohë kanë telashe mes vete. Bazuar në dëshminë e viktimës, i shoqi ka krijuar lidhje jashtëmartesore me një grua tjetër dhe si pasojë ai ushtron dhunë psikike sistematike ndaj 46-vjeçare.
Para hetuesve policorë, ajo ka deklaruar se Zeneli po kërkon që t’ia lirojë shtëpinë.
Si rezultat i denoncimit, 49-vjeçari do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.