Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit PSD-AAK, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas lajmit se pas një debati televiziv është përleshur me kandidatin për deputet të VV-së, Haki Abazin.
Molliqaj këtë e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai ka thënë se asgjë nuk ka ndodhur pas kamerave, veçse një vazhdimësi e debatit publik.
Më tutje, Molliqaj ka thënë se nuk e ka problem që të akuzohet apo sulmohet për veprimet e tij politike. Sipas tij, ankesat e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në debatet televizive.
Ja postimi i plotë i Dardan Molliqajt:
“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik.
Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike.
Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive.”
Ndërsa, Haki Abazi ka thënë se pas debatit është sulmuar nga Dardan Molliqaj dhe shoqëruesi i tij./Sinjali/