image Danimarka planifikon të heqë kufizimet në shkurt

Evropë

Danimarka planifikon të heqë kufizimet në shkurt

news image

Danimarka planifikon të heqë kufizimet e saj lidhur me COVID-19 më 1 shkurt me gjithë infeksionet rekorde, pasi shkalla e lartë e saj e vaksinimit konsiderohet e mjaftueshme kundër variantit më të butë Omicron, tha të mërkurën Ministria e Shëndetësisë.

Nëse një komision parlamentar miraton propozimin e qeverisë më vonë të mërkurën (26 janar), Danimarka do të bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që heq kufizimet pavarësisht nga vala e infeksioneve me Omicron që përfshiu kontinentin.

“Dëshiroj që COVID-19 të mos kategorizohet më si një sëmundje e rrezikshme për shoqërinë që nga 1 shkurti”, shkroi ministri i Shëndetësisë Magnus Heunicke në një letër drejtuar ligjvënësve.

Kjo do të çonte në heqjen de fakto të të gjitha kufizimeve të brendshme, duke përfshirë përdorimin e një pasaporte të vaksinimit, mbajtjen e maskave dhe mbylljet e hershme për baret dhe restorantet.

Megjithatë, Danimarka do të mbajë disa masa kufitare për katër javë të tjera, duke përfshirë teste dhe/ose karantinë në varësi të vendit të origjinës së udhëtarëve.

Vendi skandinav hoqi më parë të gjitha kufizimet më 10 shtator, përpara se të rivendoste përdorimin e një pasaporte për COVID-19 në fillim të nëntorit dhe më vonë të vendoste kufizime të reja, raporton REl.

Në Danimarkë, autoritetet shëndetësore “rekomandojnë” njerëzit që rezultojnë pozitivë të izolohen për katër ditë.

Vendi me 5.8 milionë banorë regjistroi 46,000 raste të reja të martën, një nivel shumë i lartë, “por vlerësimi ynë aktual është se epidemia së shpejti do të arrijë kulmin”, shkroi Heunicke në Twitter.

“Ne kemi kontroll të mirë mbi normat e shtrimit në spital, falë një kombinimi prej 3.5 milionë danezëve të vaksinuar dhe natyrës më pak të rëndë të Omicron“, tha ai.

Më shumë se 60 për qind e danezëve kanë marrë një dozë të tretë, një muaj përpara planit të autoriteteve shëndetësore./GazetaSinjali/