image Dalldisja e zyrtarëve të SHKK-së në Durrës me taksat e qytetarëve (VIDEO)

Financa

Dalldisja e zyrtarëve të SHKK-së në Durrës me taksat e qytetarëve (VIDEO)

news image

Me ushqim, muzikë e dalldisje, rreth 40 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës po zhvillojnë trajnimin tre ditor, në njërin nga hotelet luksoze, në Durrës të Shqipërisë. Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se SHKK-së nuk ia kanë mbushur syrin hotelet, resortet e as hapësirat e këtij institucioni që të mbahet një punëtori e tillë në Kosovë, por kanë marrë rrugën për në Shqipëri, me mjete nga buxheti.

Sinjalizues të Sinjalit kanë dërguar pamje nga atmosfera që po mbahet në këtë hotel, në orët e mbrëmjes, e siç duket po argëtohen mjaftueshëm edhe zyrtarët e SHKK-së, me taksat e qytetarëve.

Ky trajnim që po zhvillohet jashtë vendit, e që më shumë ngjason me ‘ekskursion’, ka pasur mundësi të mbahet edhe në Kosovë, pasi ka hotele e resorte të mjaftueshme ku mund të mbahen punëtoritë e tilla, por siç duket kjo nuk ia ka mbushur syrin SHKK-së dhe kanë marrë rrugën për në Shqipëri.

Sinjali ka siguruar edhe listën me emrat e të gjithë zyrtarëve që po marrin pjesë në këtë trajnim, në mesin e të cilëve ka zyrtarë nga Burgu i Sigurisë së Lartë, nga Qendrat Korrektuese në Lipjan, Gjilan, Smrekonicë e nga Qendra Operative.

Sinjali po ashtu mëson se janë shfrytëzuar edhe disa vetura zyrtare për transport, e në mesin e tyre mund të jenë edhe së paku dy automjete për transportimin e të burgosurve (informacion ky që mbetet për t’u konfirmuar).

Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës e kanë konfirmuar se një punëtori e tillë është mbajtur, teksa s’kanë dhënë përgjigje në pyetjet e tjera të Sinjalit.

Ndryshe, në vitin 2020, Qeveria Hoti pati marrë vendim që të ndalohet organizimi i punëtorive jashtë vendit, të cilat zhvilloheshin nga ministrisë, agjencitë dhe njësitë e tjera brenda sistemit ministror.

/GazetaSinjali/