image Shërbimi Korrektues ‘pushton’ Durrësin, rreth 40 zyrtarë ‘verojnë’ në emër të trajnimit tre ditor në një hotel

Drejtësi

Shërbimi Korrektues ‘pushton’ Durrësin, rreth 40 zyrtarë ‘verojnë’ në emër të trajnimit tre ditor në një hotel

news image

Që nga themelimi i institucioneve në Kosovë, praktika e mbajtjes së punëtorive e trajnimeve jashtë vendit ka vazhduar për shumë vite, duke shpenzuar kështu buxhetin e Qeverisë së Kosovës. Shumë herë është raportuar që mëditjet që marrin zyrtarët publikë për të marrë pjesë në punëtori të ndryshme jashtë Kosovës janë të mëdha dhe po i kushtojnë buxhetit shumë. Një praktikë e tillë nuk është ndërprerë dhe po zbatohet edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se rreth 40 zyrtarë të SHKK-së kanë ‘zbarkuar’ në hotelin Royal G në Durrës, në emër të një trajnimi tre ditor. Në mesin e zyrtarëve që janë atje, Sinjali mëson se ka edhe zyrtarë ndaj të cilëve janë iniciuar procedura disiplinore.

Ky trajnim që po zhvillohet jashtë vendit, e që më shumë ngjason me ‘ekskursion’, ka pasur mundësi të mbahet edhe në Kosovë, pasi ka hotele e resorte të mjaftueshme ku mund të mbahen punëtoritë e tilla, por siç duket kjo nuk ia ka mbushur syrin SHKK-së dhe kanë marrë rrugën për në Shqipëri.

Sinjali ka siguruar edhe listën me emrat e të gjithë zyrtarëve që po marrin pjesë në këtë trajnim, në mesin e të cilëve ka zyrtarë nga Burgu i Sigurisë së Lartë, nga Qendrat Korrektuese në Lipjan, Gjilan, Smrekonicë e nga Qendra Operative.

Sinjalizues të Sinjalit kanë bërë të ditur se trajnimi në emër të të cilit zyrtarët e këtij institucioni kanë shkuar në Durrës, ka pasur mundësi të mbahet edhe në hapësirat e institucioneve në kuadër të MD-së, që të mos shpenzohen mjetet nga buxheti.

Sinjali po ashtu mëson se janë shfrytëzuar edhe disa vetura zyrtare për transport, e në mesin e tyre mund të jenë edhe së paku dy automjete për transportimin e të burgosurve (informacion ky që mbetet për t’u konfirmuar).

Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës e kanë konfirmuar se një punëtori e tillë është mbajtur, teksa s’kanë dhënë përgjigje në pyetjet e tjera të Sinjalit.

Ndryshe, në vitin 2020, Qeveria Hoti pati marrë vendim që të ndalohet organizimi i punëtorive jashtë vendit, të cilat zhvilloheshin nga ministrisë, agjencitë dhe njësitë e tjera brenda sistemit ministror.

/GazetaSinjali/