image Dalin pensionet e kosovarëve që punuan në Zvicër, kjo është shuma

Kosovë

Financa/ Dalin pensionet e kosovarëve që punuan në Zvicër, kjo është shuma

news image

Zvicra këtë muaj ka filluar t`ua paguajë pensionet e moshës dhe ato të invaliditetit qytetarëve të Kosovës që kanë punuar në Zvicër. Kjo po ndodh pas pothuaj 10 vitesh sa ka zgjatur ndërprerja e këtyre pagesave.

Të drejtë për të marrë pensionet kanë pasur gjithë kohën vetëm ata kosovarë që kanë qëndruar në Zvicër, shkruan albinfo.ch. Ndërsa ata që kohën pas pensionimit dëshironin ta kalonin në Kosovë nuk e kishin këtë mundësi.

Gazeta zvicerane “Blick” ka publikuar sot një artikull në të cilin ka prezantuar raste konkrete të fillimit të rrjedhjes së pensioneve. Njëri nga ata që i janë gëzuar pensionit, ndonëse të vonuar, është edhe Bahri Sheholli, 65 vjeçar nga Prishtina, i cili në vendlindjen e tij ka marrë më në fund pensionin aq të pritur.

895 euro janë derdhur në konton e tij, që bëjnë më pak se 1000 franga, shkruan gazeta. Sheholli thotë se ndihet i lehtësuar pasi që kështu do të ketë mundësi t`i kthejë borxhet që ka marrë.

Megjithëse e pritur me entuziazëm, vënia e drejtësisë në vend përcillet me probleme. Disa nga të intervistuarit shprehen se kërkesa për të marrë pensionin lidhet me procedura të ndërlikuara.

“Ka qenë një maltretim që na kanë kërkuar të dorëzojmë kaq shumë dokumente”, është ankuar pensionistja 68 vjeçare, Mina Hasani.

Ndërsa fakti se deri tash vetëm disa qindra veta kanë bërë kërkesën për të marrë pensionin ka të bëjë me informimin e dobët. Shumë kosovarë duket se për herë të parë për rifillimin e pagesës së pensioneve zvicerane kanë kuptuar nga sindikata Unia ose nga personat tjerë, të prekur si ata vetë. Ndërsa Zyra Federale për Sigurimet Shoqërore (BSV) është mjaftuar duke shpërndarë me kursim disa informacione në faqen e saj, shqip dhe serbisht. Ndërkaq dihet se shumë nga pensionistët nuk kanë fare qasje internet dhe nëse kanë, atëherë të kufizuar .

Por për BSV kjo nuk përbën ndonjë barrierë. “Risitë në lidhje me marrëveshjen për rifillimin e pagesës së pensioneve, nisur nga përvoja, përhapen shumë shpejt në mesin e shtetasve kosovarë, si në Zvicër ashtu dhe në Kosovë”, thuhet në një prononcim të BSV.

Ndërsa përfaqësuesi i sindikatës Unia, Osman Osmani kërkon një “fushatë gjithëpërfshirëse informative” lidhur me pensionet. Ai kritikon po ashtu faktin se pensionet do të paguhen vetëm për tash e tutje, dmth jo edhe në mënyrë retroaktive. Kjo do të thotë se paratë të cilat u janë mohuar pensionistëve gjatë një dekade të tërë, sipas të gjitha gjasave janë të humbura përgjithmonë.