Policia e Kosovës gjatë ditëve të fundit ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime të kryera gjatë luftës, ku sipas njoftimit të tyre, njëri nga të dyshuarit është arrestuar në fshatin Lubozhdë të Istogut, ndërsa tjetri në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdar, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se dy të arrestuarit janë Momir Pantic, si dhe Zarko Zaric.
Të njëjtit sot kanë dalur para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku ndaj tyre pritet të caktohet masa e sigurisë, e që për raste të tilla kërkohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në këtë seancë të mbajtur sot të pranishëm ishin edhe avokatët e dy të dyshuarve, Nebojsha Vlajiq dhe Dejan A. Vasiq.
Kujtojmë se përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës bëri të ditur se Zaric është arrestuar me dyshimet për krim lufte kundër popullatës civile në Kosovë në periudhën prej vitit 1998 deri në vitin 1998.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës (DHKL), kanë arritur që sot, më 05.08.2023, rreth orës 12:30, në fshatin Lubozhdë të komunës së Istogut të lokalizojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin Ž.Z., viti i lindjes 1954, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, Momir Pantiq, akuzohet për përgjegjësi komanduese për disa ngjarje të ndodhura gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, në komunën e Istogut.
“I dyshuari M.P., është arrestuar sot, më 04.08.2023, në ora 18:05, në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare. Me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, përfundon njoftimi i Policisë për Pantiqin.