image Polici tërheq zvarrë pjesëtarin e NJSI-së (VIDEO)

Drejtësi

Polici tërheq zvarrë pjesëtarin e NJSI-së (VIDEO)

news image

Polici, Bashkim Ahmeti, dyshohet se ka tërhequr zvarrë me veturën e tij të tipit “Golf IV” në distancën prej 30 metrave, njërin prej dy kolegëve të tij të Njësisë Speciale (NJSI).

Situata është tensionuar aq shumë për shkak të një mosmarrëveshjeje në trafik, saqë në një moment Ahmeti ua ka nxjerrë armën policëve specialë Fehmi Shahini dhe Lumbardh Pestisha, raporton Sinjali.

Burime shumë të sigurta të Gazetës Sinjali brenda policisë, thonë se policët specialë ia kanë thyer xhamin veturës së Ahmetit në tentim për t’ia marrë armën. Kjo e ka nervozuar Ahmetin, i cili e ka tërhequr zvarrë me veturë një nga kolegët e tij specialë.

Gazeta Sinjali sjell ekskluzivisht pamjet nga ky moment, të cilat lirisht mund të krahasohem me ndonjë film të zhanrit aksion.

Përleshja ka ndodhur sot në orën 10:30 në rrugën “Mehmet Visoka”, në Prishtinë. Rasti fillimisht është raportuar në Stacionin e Veriut në kryeqytet, më pas ka kaluar te Inspektorati Policor i Kosovës. Tre policët janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe shumë shpejt pritet të bëhet e ditur se çfarë masash janë marrë ndaj tyre, ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

LAJMI I PLOTËSUAR:

Pas raportimit të Sinjalit, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka dhënë rekomandimin për suspendimin e tre punonjësve të PK-së.

“Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve  policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së, dërguar mediave.