Sekretari spanjoll për Çështje Evropiane në Ministrinë e Jashtme të këtij shteti, Juan Gonzales-Barba Pera ka thënë se qëndrimi i Spanjës kundruall Kosovës është “parimor”, por se beson që shteti i tij duhet të ketë rol proaktiv në drejtim të dialogut dhe marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit.
Ai, gjatë një konference shtypi me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiqin ka theksuar se “nuk ka mënyrë tjetër”.
Përfaqësuesi spanjoll ka thënë se qëndrim i shtetit të tij është që në radhë të parë të rinisë dialogu dhe komunikimi midis Prishtinës dhe Beogradit.
Edhe kryediplomati i shtetit serb ka theksuar se vazhdimi i dialogut është në interesin e të gjitha palëve, raporton “Fonet”.
Daçiqi e ka falënderuar Spanjën për përkrahjen dhënë Serbisë rreth Kosovës, duke theksuar se nëse autoritetet katalonjase e kontaktojnë Serbinë, autoritetet serbe do ta njoftojnë menjëherë ambasadën spanjolle.
Ai ka vlerësuar se raportet midis dy shteteve janë të një karakteri strategjik dhe se është i bindur që mbështetja e Spanjës për Serbinë do të vazhdojë.
I pyetur rreth tubimit në Shqipëri, në të cilin Kosova është paraqitur me fusnotë, Daçiqi ka deklaruar se kjo mënyrë e prezantimit është pjesë e marrëveshjes në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. /Gazeta Sinjali/