Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka komentuar vizitat e paralajmëruara të zyrtarëve nga ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, BE-ja si dhe nga Gjermania e Franca në Beograd.
Përveç Beogradit ata do të vizitojnë edhe Prishtinën, ndërkohë që ende nuk dihet arsyeja zyrtare prapa kësaj vizite.
Por, kryediplomati serb Ivica Daçiq thotë se ata po vijnë “për të shuar zjarret” dhe për të krijuar një marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ata do të vazhdojnë bisedimet dhe secili do të ketë agjendën e vet. Të enjten vjen Chollet, si dhe i dërguari britanik Stuart Peach. Nuk e dimë se kur do të vijnë i dërguari nga Parisi (Emmanuel Bonne) dhe ai nga Berlini (Jens Plottner) dhe cilat do të jenë temat e tyre. Deri tash, ata janë marrë kryesisht me shuarje të zjarreve. Roli tash është të krijojnë një marrëveshje të re që nuk mund ta arrijmë nga shuarja e zjarreve çdo ditë,” – u shpreh z. Daçiq.
Ministri i jashtëm serb tha që “ka shumë arsye për të gjetur një interes të përbashkët”.