Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka komentuar deklarata e Albin Kurtit, i cili nuk dëshiron që në tryezën e bisedimeve të jetë Aleksandar Vuçiq. Sipas Daçiqit kjo deklaratë e Kurtit tregon se Kosova nuk është e interesuar për vazhdimin e dialogut dhe për arritjen e një kompromisi.
“Nëse ata (Kosova), vazhdojnë kështu, ne nuk jemi optimistë kur bëhet fjalë për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës”, deklaroi Daçiq para fillimit të seancës së Bordit Kryesor të Partisë së tij, i cili shtoi se sjellja e Kosovës karshi dialogut dhe Serbisë do të jetë një nga temat e këtij takimi.
Siç shkruan “RTS.rs”, Daçiq ka thënë poashtu se, pavarësisht faktit që Serbia ka një qasje konstruktive në dialog, nga veprimet e Prishtinës mund të konkludohet se është një “çmenduri politike” dhe akte të njëanshme që tregojnë se Kosova është faktori më i madh i paqëndrueshmërisë.
“Ky është një tregues se ata nuk kujdesen për dialogun dhe kompromisin. Problemi i vetëm është se ata nuk e kuptojnë se situata ka ndryshuar shumë:, theksoi Daçiq, duke shtuar se pozicioni i politikës së jashtme të Serbisë ka ndryshuar dhe se është përmirësuar kohëve të fundit në krahasim siç ka qenë në të kaluarën.
Daçiq po ashtu theksoi se, qëllimi më i rëndësishëm për qeverinë aktuale të Serbisë është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, duke shtuar se duhet të ketë unitet politik dhe një situatë të qëndrueshme politike në Serbi./ Gazeta Sinjali/