Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, në një ceremoni për themelimin e partisë SPS, para mediave është shprehur se ai do të udhëtojë në një vend të Afrikës, për të tërhequr një njohje të pavarësisë së Kosovës.
Sipas Daçiq, Serbia nuk guxon të heqë dorë nga Kosova.
“Ata po presin që ne të pushojmë së luftuari për Kosovën, që ta pranojmë si shtet të pavarur që i përket shqiptarëve. Ne njëmend jemi për dialog, jemi për kompromis, por duhet të themi në emër të SPS-it, të Serbisë unike, bashkë me (presidentin e Serbisë Aleksdandar) Vuçiqin, do të rezistojmë çfarëdo presioni. Ne me siguri nuk do të pranojmë ultimatume e shantazhe nga se ne nuk kemi atdhe tjetër as popull tjetër”, ka thënë Daçiqi.
Ai me këtë rast paralajmëroi se aktivitet i tij i ardhshëm në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Serbisë do të jetë udhëtimi në Afrikë, ku me një shtet, të cilit nuk deshi t’ia përmend emrin, do të negociojë rreth tërheqjes së njohjes për pavarësi të Kosovës, e citojnë Daçiqin mediat serbe.
Kujtojmë që një gjë e tillë bie ndesh menjëherë me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti që Serbia të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës. Madje, Kurti kishte deklaruar se nuk do ta hiqte taksën më 1 prill nëse Serbia do të vazhdonte me fushatën e saj./ Gazeta Sinjali/