image Daçiq nuk arrin ta bindë Antiguan dhe Barbudan për ta tërhequr njohjen e Kosovës

Politikë

'Propagandë'/ Daçiq nuk arrin ta bindë Antiguan dhe Barbudan për ta tërhequr njohjen e Kosovës

news image

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka pritur sot në Beograd homologun e tij nga Antigua dhe Barbuda, Paul Chet Greene, me shtetin e të cilit Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike gjatë vitit të kaluar.

Pas takimit me Chet Greene, Daçiq deklaroi se Antigua dhe Barbuda nuk e kanë tërhequr zyrtarisht njohjen e Kosovës, por e ka definuar qëndrimin e saj, kështu që “do të respektohet sovraniteti i Serbisë, do të përkrahet dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës dhe do të merren parasysh rezultatet e tij”, raporton Fonet.

Daçiq ka thënë se “nuk është risi që Serbia aktualisht po përballet me presion të madh nga Perëndimi që ta ndalë fushatën kundër njohjeve të Kosovës, por se kjo fushatë do të vazhdojë”.

Duke e komentuar dilemën nëse Xhamajka e ka njohur apo jo pavarësinë e Kosovës, Daçiq ka thënë se nga Xhamajka ende nuk është pranuar ndonjë shkresë zyrtare apo sqarim lidhur me këtë çështje, kështu që “këtë gjendje tani e mbajmë të hapur”.

Kujtojmë se Antigua dhe Barbudan e ka njohur Kosovën më 20 maj të vitit 2015./GazetaSinjali/