Greqia mbështet arritjen e një kompromisi politik në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
Kështu është shprehur ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, pas takimit që zhvilloi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, në Athinë.
Tutje, kryediplomati grek tha se për të bërë përparim, “çdo vendim i njëanshëm duhet të bëhet brenda kornizës së dakorduar të dialogut”.
“Dhe lëvizjet që mund të rrezikojnë ekuilibrin shumë të brishtë që është arritur duhet të shmangen. Edhe ne po i ndjekim me shumë kujdes zhvillimet e fundit dhe i kemi diskutuar zhvillimet e fundit në mënyrë dypalëshe”, u shpreh Dendias pas takimit me Daçiqin.
Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë serbe theksoi se “Beogradi qëndron për dialog, për zgjidhje politike të problemit, por jo për dialog që nuk është rezultat i marrëveshjes”.
“Çdo njohje apo pranim i Kosovës në organizatat ndërkombëtare paraqet shkelje të integritetit territorial të Serbisë dhe të drejtës ndërkombëtare”, tha Daçiq.