image COVID-19: Ditë rekordesh negative në Evropë

Evropë

COVID-19: Ditë rekordesh negative në Evropë

news image

Ditë rekordesh negative për pandeminë e koronavirusit në gjithë Evropën. Nivelin më të lartë të infektimeve ditore e preku Gjermania me gati 53 mijë raste.

Edhe vdekjet shënuan shifrën më të lartë prej majit me 294 viktima. Shifra të larta pati edhe në Austri, ku kjo e mërkurë preku rekord të ri pandemik me mbi 14 mijë infektime, e po ashtu 61 vdekje.

Prej fillimit të muajit shkurt nuk shënoheshin kaq shumë të vdekur brenda 24-orëve. Këtë javë, autoritetet futën në karantinë vetëm të pavaksinuarit, një masë unike për gjithë Evropën, që ende nuk ka dhënë asnjë rezultat pozitiv në uljen e infektimeve, përveç se ka shtuar ritmet e vaksinimit.

Rezultate ende nuk po jep as karantina e pjesshme për gjithë qytetarët në Holandë, ku 24-orëshin e fundit u shënua një rekord i ri pandemik me mbi 20 mijë infektime të reja. Edhe në Francë u shënua niveli më i lartë i infektimeve ditore që prej fundit të gushtit me mbi 19 mijë raste. Autoritetet janë duke e shqyrtuar mundësinë që në ambientet publike të lejohet hyrja vetëm e të vaksinuarve.

Në vendet e lindjes në Evropë shqetësim më tepër se rritja e infektimeve janë shifrat e larta të viktimave. Rekorde për gjithë periudhën e pandemisë u shënuan këtë 24-orësh, veçanërisht në Rusi e Ukrainë, ku vaksinimi është ende në nivele të ulëta./Gazeta Sinjali/