image Contour Global tërhiqet nga Kosova e Re

Contour Global tërhiqet nga Kosova e Re

news image

Kompania Contour Global ka thënë se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, me kapacitet 500 megavatë.

Sipas një njoftimi të Contour Global, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.

“Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, tha poashtu Contour Global.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si projekt të dëmshëm për mjedisin dhe thonë se do të çonte në rritje të çmimit të rrymës për qytetarët.

Termocentrali Kosova e Re ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por, me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Ditë më parë Gazeta Sinjali kishte raportuar se Departamenti i Shtetit në SHBA konsideronte se në rast të mosndërtimit të këtij termocentrali, Kosova mund të preket direkt ose indirekt nga politikat dhe furnizimi me energji nga Rusia. 

Gazeta Sinjali kishte siguruar një kërkesë të ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, e cila më 10 mars ka propozuar që në rend të ditës të mbledhjes së qeverisë të futet shfuqizimi i vendimit të Qeverisë Thaçi për rikonfigurimin e përbërjes së Komitetit Drejtues të Projektit të Asistencës Teknike “Energjia dhe Linjiti”, i cili është përgjegjës për projektin e termocentralit “Kosova e Re”. Gjithashtu është propozuar rithemelimi i këtij komiteti me përbërje të re.