image Çmimi që paguajnë nxënësit për grevën

Arsim

Çmimi që paguajnë nxënësit për grevën

news image

Psikologë, sociologë dhe prindër në Kosovë shprehen të shqetësuar për gjendjen psikologjike dhe sociale të fëmijëve, të cilët nuk kanë nisur ende vitin shkollor.

Mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj. Përjashtim bëjnë vetëm disa mësimdhënës individualë, që kanë nisur t’i mbajnë orët.

Greva, përndryshe, ka lënë jashtë shkollave afro 300.000 nxënës. Dhe, nuk ka asnjë datë të mundshme për fillimin e mësimeve.

Arlinda Bajra është nënë e dy fëmijëve, të cilët, nga 1 shtatori, do të duhej t’i ndiqnin mësimet në një shkollë fillore në Prishtinë – njëri në klasën e gjashtë dhe tjetri në të nëntën.

Ajo thotë se është e shqetësuar që fëmijët e kalojnë ditën pa aktivitete mësimore, përveç në disa kurse private që i ka angazhuar.

“Janë me orar të pushimeve verore. Vazhdojnë të rrinë deri në orët e vona të mbrëmjes, me telefon, televizor… dhe zgjohen shumë vonë nga gjumi. Sa kanë qenë në pushime, kanë lexuar ndonjë roman. Tani më thonë: nuk lexojmë se nuk jemi në shkollë”, rrëfen Bajra për Radion Evropa e Lirë.

Fëmija që do të duhej të niste klasën e gjashtë, thotë ajo, nuk e njeh ende as kujdestaren e klasës dhe nuk e di se si zhvillohet mësimi me arsimtarë, meqë, deri më tash, kishte një mësuese.

Prokshi: Greva thyen vullnetin për mësimnxënie
Dafina Prokshi, psikologe, thotë se situata si kjo dhe të ngjashme kanë ndikim negativ te nxënësit, qoftë në gjendjen e tyre psiko-sociale, qoftë në performancën akademike.

“Fëmijët, në shtator, përgatiten emocionalisht të njihen me një fazë tjetër të jetës – shumë kruciale për ta – e që është identiteti i tyre në rrethin shoqëror. Ai ndërtohet nga ndërveprimi me mësimdhënësit”, thotë Prokshi, e specializuar në fushën e psikologjisë sociale-organizative dhe këshillim-psikoterapi.

Kjo gjendje, thotë Prokshi, mund t’ua thyejë nxënësve vullnetin për mësimnxënie.

Dhe nëse grevat zgjasin, ka rrezik që ata “të pajtohen me një rutinë joarsimore”, thotë ajo.

Sipas saj, kjo do t’i prekte më shumë fëmijët e grup-moshave më të vogla, përkatësisht të nivelit parashkollor dhe të mesëm të ulët.

Në Kosovë ka pasur edhe më herët greva nga mësimdhënësit.

E fundit ka qenë në vitin 2019, kur gjysmëvjetori i dytë i mësimeve ka nisur me tri javë vonesë nga pakënaqësia e mësimdhënësve me Ligjin për paga.

Orët e humbura nuk janë kompensuar asnjëherë, përkundër kërkesës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Krasniqi: Thyerje emocionale për fëmijët
Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë se fëmijët dhe shkolla krijojnë një lidhje të posaçme – fëmijët “përgatiten emocionalisht” që mësimet të fillojnë.

“Në secilën familje ndodhin përgatitjet e para, sidomos fëmijë filloristë mezi presin të nisë shkolla. Është thyerje shumë e madhe emocionale kur iu thua që shkolla nuk nis”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Te nxënësit më të rritur, shton ai, është një efekt tjetër: mungesa e orëve të mësimit rrezikon t’ua humbasë interesimin për shkollë.

“Iu krijohet një ndjenjë se bën edhe pa shkollë dhe se mësimi mund të mos fillojë më 1 shator. Magjia e arsimit është: shkolla nuk duhet ta refuzojë nxënësin e as nxënësi nuk mund ta refuzojë shkollën. Kur njëra palë prish këtë marrëveshje, humb kjo magji dhe humb serioziteti”, thotë Krasniqi.

Deri kur në grevë?
Sindikalistët e arsimit, që organizojnë grevën, thonë se nuk do të heqin dorë, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj për të gjithë punonjësit e arsimit, deri në fillimin e zbatimit të Projektligjit për paga.

Qeveria e Kosovës thotë se ky projektligj, që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon hapjen e shkollave.

Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Cilësia e arsimit
Në një raport të publikuar në vitin 2020, Banka Botërore ka vlerësuar se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Në dy teste të PISA-s – program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – Kosova ka dalë gati në fund të listës.

Ekspertë të fushës së arsimit thonë se pandemia e koronavirusit ka ndikuar, po ashtu, në mësimnxënie.

Gjatë dy vjetëve të parë të pandemisë, më 2020 dhe 2021, nxënësit kanë kaluar në mësim online, apo nga distanca, në disa periudha të ndryshme kohore./rel/

/GazetaSinjali/