Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, ka paralajmëruar se çmimet botërore të naftës mund të rriten në “nivele të paimagjinueshme”, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk mban një qëndrim “të fortë dhe të vendosur” ndaj Iranit.
Ai në programin televiziv amerikan “60 Minuta”, tha se tensionet do të shkallëzohen.
Kjo intervistë vjen 15 ditë pas goditjeve ndaj objekteve të naftës saudite, që paralizuan rreth 50 përqind të prodhimit të papërpunuar të vendit dhe 5 përqind të furnizimit global me naftë.
Udhëheqësi de-fakto i Arabisë Saudite i quajti goditjet një akt lufte, po ashtu si edhe sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo. Që të dy akuzuan Iranin, se qëndronte pas sulmeve të 14 shtatorit.
Franca, Gjermania dhe Britania kanë fajësuar gjithashtu Teheranin për sulmet.
Irani mohon se ka gisht në këtë ngjarje./Gazeta Sinjali/