Së fundmi është publikuar një dokument nga mediumi NEXTA, dokument ky me kërkesë drejtuar qeverisë ruse dhe Vladimir Putinit, i cili daton nga 24 marsi. Më pas dokumenti filloi të qarkullojë në Twitter pasi Mykhailo Podolyak, kryenegociatori i Ukrainës dhe këshilltari i Presidentit Volodymyr Zelensky, ngriti frikën për “një operacion special ushtarak global”.
“Jo vetëm Ukraina: Polonia, shtetet baltike, Moldavia si dhe Kazakistani, gjithashtu duhet të “çmilitarizohen dhe denazifikohen” nga Rusia”.
Ky propozim vjen nga Sergei Savostyanov, deputet i Dumës së Rusisë.
“Një ofensivë në shkallë të plotë të Moskës, që përfshinë Poloninë, Moldavinë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Dhe kjo vetëm në Evropë”, thuhet në propozimin e deputetit. Fjalët e Savostyanov dhe dokumenti i tij u shpërndanë nga Nexta, një media pro-ukrainase bjelloruse dhe nga Visegrad24.
Artikulli i botuar më 25 mars raporton një pjesë të tekstit të hartuar nga deputeti rus: “Çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës do të garantojë siguri të qëndrueshme për popujt e Ukrainës, Rusisë dhe të gjithë Evropës. Për një proces më gjithëpërfshirës që synon të garantojë sigurinë e Federatës Ruse, si dhe të Ukrainës, e konsideroj të përshtatshme të përfshijë shtetet baltike (Lituania, Letonia, Estonia), Polonia, Moldavia dhe Kazakistani në zonën e denazifikimit dhe çmilitarizimit”.