Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas bastisjeve të fundit të Prokurorisë së Specializuar në Hagë ndaj ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit.
Pas bastisjes së sotme në shtëpinë e ish-këshilltarit, Artan Behrami, Çitaku ka thënë se kjo nuk është drejtësi, por sipas saj, përndjekje dhe persekutim.
“Kjo nuk është drejtësi. Kjo është përndjekje. Persekutim. Dje Blerimi e Bashkimi. Sot Artani. Nesër nuk e di. Po ajo që po shihet sheshazi është që kjo është përndjekje politike”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sinjali raportoi të hënën ekskluzivisht për operacionin e zhvilluar dje në mëngjes, ku u bastisën shtëpia e Bashkim Smakajt, ish shef i AKI-së, që ishte dikur edhe këshilltar i ish presidentit Thaçi dhe ish këshilltarit tjetër të tij, Blerim Shala.
Ndryshe, pas përfundimit të bastisjeve në shtëpinë e Smakajt, është deklaruar avokati i tij, Artan Qerkini, i cili tha se janë marrë dokumente, të cilat aktualisht nuk dihen se të çfarë rëndësie janë.
“Dokumentet janë marrë. A është marrë ndonjë dokument që është i ndjeshëm për sigurinë e shtetit të Kosovës, kjo mbetet të shihet”, tha ai në një deklarim para gazetarëve.