Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin serb, Aleksandër Vulin për përdorimin e terminologjisë fyese dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, shkruan Gazeta Sinjali.
Reagimi vjen vetëm një ditë pasi një gjykatë e Serbisë legalizoi termin ofendues “šiptari”.
Të hënën, Gjykata e Lartë në Beograd kishte refuzuar të shpallte fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Për këtë gjykatë s’vlente as vendimi i Gjykatës së Apelit, që më 2018 kishte sanksionuar përdorimin e këtij termi si gjuhë të urrejtjes.
Çitaku ka thënë se Gjykatat në Serbi e kanë vulosur racizmin ndaj shqiptarëve. Sipas saj, kjo çështje nuk duhet të mbetet vetëm betejë e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Gjykatat në Serbi vulosën racizmin ndaj shqiptarëve. E papranueshme, por jo befasuese. Kjo nuk është dhe nuk duhet të mbetet vetëm betejë e shqiptarëve të Luginës”, shkruan Çitaku.
Edhe deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar ndaj një vendimi të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin serb, Aleksandër Vulin.
Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka njoftuar se kjo Gjykatë, e ka cilësuar si të pabazuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, që sipas deputetit shqiptar i ka dhënë fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre në Serbi në veçanti.
Gjykata e Lartë në Beograd i ka dhënë të drejtë ministrit serb, Aleksandër Vulin, i cili përdori gjuhë fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke iu referuar atyre me termin “šiptari”. /Gazeta Sinjali/