Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, tani nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar për zhvillimet e fundit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke lavdëruar punën e FSK-së, ajo ka reaguar për dorëheqjen e Rrahman Ramës nga pozita e Komandantit të FSK-së.
“Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin“, ka shkruar Çitaku.
Ajo gjithashtu ka kritikuar veprimet e Ministrisë të kësaj force, Armend Mehaj duke thënë se ai ka bërë shkelje të rëndë të ligjit.
“Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cenohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershëm”, ka shkruar ajo, transmeton Gazeta Sinjali.
Postimi i plotë i saj:
Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më kredibil dhe më profesional në Republikën e Kosovës.
Përgjatë viteve, kam pasur nderin e veçantë që të bashkëpunoj me shumë oficerë të FSK-së. Gjatë shërbimit tim si Ambasadore në SHBA, kam pasur privilegjin që të shoqëroj dhjetëra delegacione zyrtare. Asnjëherë nuk jam ndjerë më krenare se kur kam qenë përkrahë ushtarëve të FSK-së.
Nuk do ta harrojë kurrë tetorin e vitit 2018, kur bashkë me ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kam bashkë-kryesuar mbledhjen e parë të Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Për nga pregaditja dhe profesionalizmi, oficerët e FSK-së ishin në të njëjtin nivel me oficerët amerikan.
Përgjatë fazave të ndryshme të transformimit, nga UÇK, në TMK e më pas FSK, është ruajtur bërthama e luftës çlirimtare, paralelisht me krijimin e vlerave të reja.
Nga Gjeneral Rama, kolonel Qeriqi, kolonel Dreshaj, deri tek Arilena Shala, Yll Dalladaku, Ilirijanë Bunjaku e Luan Haradinaj, ( po i përmend me emër këta me të cilët kam bashkëpunuar, pa i hyrë në hak askujt) FSK sot është ushtri moderne, me oficerë të përgatitur e shkolluar në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë.
Falë punës së tyre para së gjithash, kemi arritur ta ndërrojmë mandatin e FSK-së në ushtri, dhe sot pjesëtarët e FSK-së janë në misione të përbashkëta me trupat amerikane.
Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cenohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershëm.
Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin.
Gjeneral Jasharajt i dëshiroj suksese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë.
Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë.