Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku është deklaruar për çështjen e dinarit, e cila po merr po ashtu reagime të shumta. E njëjta vlerëson se mos përfshirja e qeverisë në vendimin e BQK-së për dinarin do të ishte gjëja më e mirë.
Çitaku tutje ka shkruar se “ky vend e ky popull e ka dëbuar ushtrinë e policinë e Serbisë, e ka shpallur pavarësinë, e ju flisni për dinarin e disa pensionistëve”, duke shtuar se është njëjtë si me targat, që nuk solli asnjë të mirë.
“Njerëzit e vegjël korrin “fitore” të vogla, në përpjekje të dëshpëruara për ta kompensuar deficitin e rolit historik e patriotik. Gjëja më e mirë që kish mundur ta bëjë qeveria lidhur me vendimin e BQK për përdorimin e valutave të huaja kish me qenë të qëndrojë e të mos përfshihet. Çka po trumpetoni tash, pashë zotin? Ky vend e ky popull e ka dëbuar ushtrinë e policinë e Serbisë, e ka shpallur pavarësinë, e ju flisni për dinarin e disa pensionistëve. Njëjtë si me targat, që nuk solli asnjë të mirë, por e solli draftin e statutit për asociacionin që e tejkaloi marrëveshjen e 2013 në Bruksel. Çka do të sillni tani me dinarin?”, ka shkruar ajo në Facebook.
Tutje Çitaku ka thënë se vendimit të BQK-së duhet t’i kishte paraprirë një fushatë intensive informuese, në mënyrë që mos të keqpërdoret nga kundërshtarët e shtetit të Kosovës.
“Çështja e dinarit është punë e BQK-së. Vendimit duhet t’i kishte paraprirë një fushatë intensive informuese, në mënyrë që mos të keqpërdoret nga kundërshtarët e shtetit të Kosovës. Çështja e Qeverisë është njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë, integrimi në NATO dhe BE. Kosova është çliruar në vitin 1999 dhe është pavarësuar në vitin 2008. E çështje edhe më e rëndësishme e më imediate për qeverinë është përmirësimi i jetës së qytetarëve, të bëjë diçka për ekonominë, të rritet ekonomia e të hapen vende të punës; të përmirësojë arsimin e shëndetësinë, të rregullojë rrugët e infrastrukturën në përgjithësi. E jo të nis beteja që janë fituar moti. E me amatorizëm të na sjell sanksione nga aleatët. Për më tepër, problemi që e kemi si vend nuk është me serbët e Kosovës. Por me Serbinë. Mos i humbni aleatët. Mos e merrni si të mirëqenë mbështetjen nga aleatët. Punoni mbarë nëse dini. Nëse jo, shkoni në shpi”, ka shkruar Çitaku.