image Çitaku i reagon ambasadorit Kosnett: Presidentja Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë zarfi

Politikë

Çitaku i reagon ambasadorit Kosnett: Presidentja Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë zarfi

news image

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili tha se “koha e presidentëve që dalin nga zarfi ka shkuar”, shkruan Gazeta Sinjali.

Çitaku ka thënë se zgjedhja e presidentes Atifete Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë “zarfi”.

Sipas saj, në atë kohë ka pasur shumë emra potencial për president, por Jahjaga thotë se ishte i vetmi person për të cilin palët e përfshira mund të dakordoheshin pa asnjë trysni.

Postimi i plotë:

Mora shkas nga një deklaratë e mikut tim, Ambasadorit Phil Kosnett, për të dhënë disa sqarime sa i përket zgjedhjes së Znj.Atifete Jahjaga si Presidente e Republikës së Kosovës.

Pikë së pari, Presidenjta Atifete Jahjaga i ka shërbyer Kosovës me dinjitet dhe nder. Sa për qartësim, zgjedhja e Presidentes Jahjaga nuk ka qenë produkt i asnjë “zarfi”.

“Zarfi” nuk ka ekzistuar fare. Askush nuk ka lobuar apo ushtruar asnjëlloj presioni tek udhëheqësit politik Kosovar për të zgjedhur Znj.Jahjaga.

Gjatë përvojës sime prej më shumë se dy dekadash në politikën Kosovare, e kam provuar në lëkurë dhe e njoh fare mirë prezencën e presionit ndërkombëtar (Gjykata Speciale, Marrëveshja për Asociacionin, Demarkacioni me Malin e Zi etj etj). Zgjedhja e Presidentes Jahjaga nuk ka qenë një nga këto raste.

Pas qarkullimit të emrave të shumtë të kandidatëve të mundshëm për President të vendit, Znj.Jahjaga ishte i vetmi person për të cilin palët e përfshira mund të dakordoheshin pa asnjë trysni.

Për më tepër, vetë Znj.Jahjaga nuk ka shkuar ta lus as Ambasadën Amerikane, as ndonjë nga partitë politike, që ta zgjedhin apo ta votojnë atë Presidente të Republikës së Kosovës.

Përkundrazi, si dëshmitare e dorës së parë, mund të ju them me sinqeritet të plotë se kanë qenë partitë politike ato të cilat i kanë kërkuar me ngulm Znj. Jahjaga që ta pranoj këtë detyrë.

Ndonëse vetëm 35 vjecare, Znj.Jahjaga atëbotë ishte Zëvëndës Drejtore e Policisë së Kosovës me gradën Gjeneral-Nënkolonel (grada më e lartë në mesin e grave në Evropën Jug-Lindore) dhe një karrierë shembullore në shërbimin publik.

Znj. Jahjaga pranoi kërkesën e partive politike për të shpëtuar Kosovën nga ngërci sepse e kuptoi atë si thirrje të detyrës ndaj atdheut.

Përfundimisht, Znj.Jahjaga është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 80 vota për.

Do të ishte mirë që Znj.Jahjaga t’i jepej mirënjohja e merituar për shërbimin e shkëlqyer si Presidentja e parë grua, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Evropën Jug-Lindore./Gazeta Sinjali/