Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar deklaratave të fundit të lehtësuesit të dialogut, Kosovë-Serbi, Josep Borell.
Çitaku i ka quajtur gënjeshtra, fjalët e Borrellit, duke theksuar se presidenti Thaçi në fakt pati dhënë dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës, e se nuk u arrestua asnjëherë, por u vetëdorëzua.
Krejt kjo sipas Çitakut është dëshmi për politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, ndaj Thaçit e të tjerëve, duke u munduar të krijohet një balancë, ndërmjet viktimave dhe agresorit.
Postimi i plotë:
Gënjeshtrat e Borrellit e vërtetojnë politizimin e procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Fillimisht, presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje si President i Republikës së Kosovës për t’u përballur me akuzat kundër tij. Ai asnjëherë nuk është arrestuar, por është vetëdorëzuar!
Për më tepër, Dhomat e Specializuara nuk janë mekanizëm i BE-së, por i Kosovës.
Deklaratat e Borrellit e dëshmojnë dhe një herë politizimin e skajshëm të procesit gjyqësor, me të cilin po mundohen të krijojnë një balancë artificiale ndërmjet viktimave dhe agresorit.