image Çitaku flet në OKB për arrestimin e rusit si dhe për fshehjen e të dyshuarit për vrasje në Serbi

Kosovë

Senaca/ Çitaku flet në OKB për arrestimin e rusit si dhe për fshehjen e të dyshuarit për vrasje në Serbi

news image

Ambasadorja e Kosovës në Uashington Vlora Çitaku ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar me profesionalizëm gjatë arrestimit të zyrtarit rus të UNMIK-ut, i cili vullnetarisht ka dashur të bëhet mburojë për bandat kriminale serbe në veri dhe të parandalojë autoritetet e shtetit të Kosovës të kryejnë detyrën e tyre.

“Çfarë do të ndodhte sikur dikush nga ne këtu të parandalojë operacionin e policisë kundër kriminalëve në Nju Jork, Berlin, Moskë, Paris… Aksioni policor është incizuar dhe i është prezantuar opinionit në tërësi. Xhirimi tregon se zyrtarët e UNMK-ut kanë refuzuar të bashkëpunojnë me policinë dhe të tregojnë dokumentet e identifikimit”, tha ajo gjatë seancës së KS të OKB-së ku po diskutohet raport i rregullt për punën e misionit UNMIK në Kosovë.

Diplomatja kosovare tha se Kosova është shtet i pavarur dhe kështu do të jetë përgjithmonë, teksa foli edhe për dialogun për të cilin tha se Prishtina zyrtare është e gatshme, por pasi pala serbe të tregojë se është serioze në këtë drejtim.

Ajo ka folur edhe për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, organizimi i të cilave siç tha ajo se ishte i suksesshëm dhe u zhvilluan në mënyrë fer dhe demokratike.

Çitaku ka përmendur se 26 anëtarë të KQZ-së përfunduan në spital pasi kishin simptoma gjatë numërimi të votave të ardhura nga Serbia, duke mos dashur të drejtojë gishtin ndaj askujt, teksa shtoi se edhe pas gjithë kësaj autoritetet e Kosovës vazhduan me numërimin e të gjitha votave.

Ambasadorja Çitaku nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin e frikësimit dhe kërcënimeve të komunitetit serb në Kosovë nga ana e bashkëkombësve të tyre dhe Beogradi zyrtar që kërkonin prej tyre të votonin për Listën Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit.   

Ajo ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se po vazhdon të përdorë instrumente të frikësimit ndaj serbëve, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por edhe të pjesëtarëve serbë në Forcën e Sigurisë së Kosovës që të mos jenë pjesë e kësaj force, teksa ka përmendur se zyrtarë serbë të Kosovës  janë ndalur nga autoritetet e Serbisë në kufi.

Çitaku i ka quajtur të rrejshme pohimet e palës serbe e nga Kosova janë larguar 200 mijë serbë, teksa ka rikujtuar se i dyshuari kryesor për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviqit vazhdon të fshihet në Serbi.

“Kurrë Kosova nuk do të frikësohet dhe Serbia kurrë nuk do ta diktojë”, u shpreh ajo.

Çitaku ka përmendur edhe për veprimet e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, duke thënë se Prishtina zyrtare serish do të aplikojë vitin e ardhshëm për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, pasi që askush nuk ia ndalon këtë të drejtë.

“Kosova tashmë ka dëshmuar aftësinë e saj për të treguar veten si faktor stabilitetit”, tha ajo.

Ajo ka përshëndetur aksionin e ushtrisë amerikane për vrasjen e liderit të organizatës terroriste ISIS-it Al-Baghdadi, duke shtuar se Kosova si shtet kontribuon në luftën kundër terrorizmit.

“Jam krenare për të kaluarën time si shqiptare e Kosovës. Nuk jam e sigurt se kështu mund të thuhet për juve zoti Daçiq”, është shprehur ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.