Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka komentuar mosemërimin e ambasadorëve të rinj nga Qeveria e Kosovës.
Ajo këtë e ka cilësuar si papërgjegjësi nga ana e udhëheqësve shtetëror dhe ka thënë se nuk po arrin ta kuptojë se pse po ndodhin vonesa në këtë proces.
“Fatkeqësisht jo vetëm në SHBA, ne jemi pa ambasador në Bruksel, në Londër tani e pothuajse tre vjet, jemi pa ambasador në Berlin. Në shumicën e misioneve diplomatike Ambasadat tona janë pa titullar. Është për të ardhur keq që edhe pas shumë muajsh nuk kemi misione diplomatike funksionale. Nuk arrij ta kuptoj pse, meqenëse që të tre titullarët e institucioneve bartëse të politikës së jashtme vijnë nga e njëjta listë zgjedhore. Përderisa më herët mund të ketë pasur përplasje, mospajtime brenda bartësve të institucioneve, nuk besoj që tani është ky rast”, shtoi ajo.
Çitaku ka thënë se nuk ka asnjë problem me shkarkimin e ambasadorëve të emëruar politikë, mirëpo sipas saj ka munguar hapi i dytë, mirëpo sipas saj, “në momentin kur dërgohet dekreti për shkarkimin dekreti tjetër që duhet të dorëzohet menjëherë është kërkesa për udhëheqësin e ri”, ka thënë ndër të tjera Çitaku. /GazetaSinjali/