image Çitaku e PDK-së: Çdo marrëveshje tjetër prodhon një 'status-quo' të re përveç asaj me njohje reciproke

Politikë

Çitaku e PDK-së: Çdo marrëveshje tjetër prodhon një ‘status-quo’ të re përveç asaj me njohje reciproke

news image

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, ka thënë se çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë qartësi në mënyrë që të krijohet paqe e qëndrueshme.

Sipas Çitakut, “dykuptimësia konstruktive” mund të nevojitet vetëm në raste të ndalimit të luftërave, por jo edhe nëse synohet paqe afatgjate dhe të qëndrueshme.

“Dykuptimësia konstruktive mund të hyjë në punë për të ndalur luftërat. Ndërkohë që, për të ndërtuar paqe të qëndrueshme, kërkohet qartësi. Çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë qartësi. Jemi në vitin 2022. Po dialogojmë tash e një dekadë.” – shkroi ish-diplomatja e Kosovës në SHBA.

Sipas saj, një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër është e mundur duke marrë parasyshë kontekstin e ri gjeopolitik shkaktuar nga agresioni i paprovokuar rus në Ukrainë.

Çdo gjë tjetër prodhon ‘status-quo’, pohoi ajo.

“Konteksti i ri gjeopolitik pas agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë duket se ka rilindur Evropën gjeopolitike. Në këtë kontekst, një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër, e cila do të ç’bllokonte anëtarësimin e Kosovës në strukturat Euro-Atlantike është e mundur, nëse tregojmë mençuri dhe maturi. Gjithçka tjetër prodhon një status quo të re.” – shkroi Çitaku.

/GazetaSinjali/