image CIA shkarkon shefin e zyrës në Vjenë

Botë

CIA shkarkon shefin e zyrës në Vjenë

news image

Agjencia Qendrore për Inteligjencë e Shteteve të Bashkuara, CIA, e ka shkarkuar shefin e zyrës së saj në Vjenë, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo erdhi si pasojë e kritikave rreth punës së tij, përfshirë atë që disa e kanë cilësuar si reagim jo i duhur ndaj raporteve për incidentet me Sindromin Havana në Ambasadën e ShBA-së në Vjenë, raporton The Washington Post, përcjell Gazeta Sinjali.

Vendimi për këtë shkarkim do të dërgojë mesazh për udhëheqësit që ta marrin seriozisht Sindromin Havana, një grumbull misterioz i problemeve shëndetësore që është raportuar në mesin e diplomatëve, raportoi gazeta e njohur duke cituar zyrtarë dhe ish-zyrtarë të paidentifikuar amerikanë.

Një zëdhënës i CIA-s tha se agjencia nuk i komenton incidentet specifike apo oficerët, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Sinjali.

Dhjetëra pjesëtarë të personelit amerikan në kryeqytetin austriak, përfshirë diplomatë e zyrtarë të inteligjencës si dhe disa fëmijë të punëtorëve amerikanë kanë raportuar simptoma të këtij sindromi.

Drejtori i CIA-s, William Burns, në korrik tha se rreth 100 oficerë të kësaj agjencie dhe familjarë të tyre janë në mesin e rreth 200 zyrtarëve amerikanë e të afërmve të tyre që janë prekur nga Sindromi Havana.

Problemet shëndetësore fillimisht ishin raportuar nga zyrtarët e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kubë më 2016.

Vitin e kaluar, një panel i Akademisë Kombëtare të Shkencave në ShBA vlerësoi se teoria më e besueshme është që ky sindrom është shkaktuar nga energjia me radio-frekuencë të kontrolluar.

Burns ka thënë se ekziston gjasë shumë e fuqishme që sindromi është shkaktuar me qëllim dhe se përgjegjës për të mund të jetë Rusia. Megjithatë, ky shtet i ka mohuar akuzat./GazetaSinjali/