image Çfarë qëndron pas mbështetjes ruse për luftën e Putinit në Ukrainë?

Botë

Çfarë qëndron pas mbështetjes ruse për luftën e Putinit në Ukrainë?

news image

Një grua që po largohej nga granatimet e forcave në qytetin verilindor ukrainas, Harkiv, më 6 mars, u ndal për një moment dhe pyeti popullin rus një pyetje që shumë ukrainas dhe të huaj e kanë bërë: Pse rusët nuk protestojnë për të kundërshtuar atë që po bëhet në emër të tyre?

“Ju keni mundur ta bëni këtë më parë”, tha kjo grua për Radion Evropa e Lirë teksa foli mes lotësh dhe zemërimit dhe derisa djali i saj po shikonte, ajo reflektoi mbi “historinë tonë të përbashkët në vitet ’90. Në Bashkimin Sovjetik, të gjithë ngriheshin. Të gjithë. Ku jeni ju tani? Pse nuk ngriheni të protestoni? Pse i besoni [presidentit rus, Vladimir Putin]? Pse nuk i mbroni djemtë tuaj, fëmijët tuaj? Ngrihuni, ju lutem. Mbroni ata. Po ju përgjërohem”.

Edhe pse rënia e Bashkimit Sovjetik fillimisht ishte nxitur pas protestave masive që datojnë nga fundi i viteve ’80 në shtetet baltike, Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji dhe republikat e tjera jo-ruse, qindra-mijëra rusë po ashtu kishin protestuar atëbotë. Më 10 mars 1991, për shembull, 500,000 moskovitë u mblodhën jashtë Kremlinit, duke kërkuar dorëheqjen e liderit sovjetik Mikhail Gorbachev dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.

Por, tani kundërshtimi rus për luftën në Ukrainë ka qenë i kufizuar në disa tubime relativisht modeste, protesta me një person të vetëm, me nënshkrim të peticioneve dhe letrave të hapura dhe përmes postimeve në rrjetet sociale. OVD-Info, një organizatë joqeveritare që monitoron shtypjen politike, ka raportuar se mbi 14,200 persona janë arrestuar në mbarë Rusinë në aktivitetet kundër luftës.

Për më tepër, shumë prej atyre që e kundërshtojnë luftën veçse janë larguar nga Rusia ose në vitet e fundit ose qëkur Putini nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare dhe kolapsimit të rublës, dhjetëra-mijëra rusë janë larguar nga shteti që prej fillimit të muajit.

Megjithatë, në të njëjtën kohë nuk ka pasur shfaqje masive të mbështetjes për luftën – as mbështetje të orkestruar nga shteti apo spontane – gjatë ditëve të para të nisjes së pushtimit. Më vonë, demonstrime të tilla filluan të shfaqen, shumica prej të cilave të lidhura me simbolin ‘Z’ që është vizatuar në shumë prej makinave të forcave pushtuese ruse.

Sipas disa raportimeve, në këto demonstrata, të tilla si “protesta për paqe” që u mbajt në Kazan të Tatarstanit më 10 mars, pjesëmarrja ishte e detyrueshme.

“E mbështes Putinin në çdo gjë”

Teksa lufta në Ukrainë është në javën e tretë, nuk ka një tablo të qartë të perceptimit të opinionit publik në Rusi, sepse dy dekadat e sundimit autoritar të Putinit e kanë bërë të pamundur që të ketë një matje të detajuar dhe të besueshme të perceptimit publik. Sondazhet dhe sociologët e pavarur janë margjinalizuar, ndërkaq një vetëcensurim mbretëron mbi popullsinë e këtij shteti që ka mënyra të shumta për të persekutuar disidentët.

Agjencitë që kryejnë sondazhe, që janë të kontrolluara nga shteti, kanë publikuar disa rezultate që supozohet se tregojnë një mbështetje të fuqishme për luftën. Një nga këto agjenci, që kontrollohet nga Qeveria ruse, VTsIOM, pretendoi më 5 mars se 71 për qind e rusëve mbështesin, atë që shteti rus e quan “operacion i posaçëm ushtarak” në Ukrainë. Më 3 mars, një tjetër agjenci e kontrolluar nga shteti, FOM, raportoi se në një sondazh të kryer më 25-27 shkurt,65 për qind e rusëve të anketuar e mbështesnin luftën.

Një sondazh i pavarur, i porositur nga CNN vetëm disa ditë para nisjes së pushtimit rus, gjeti se 50 për qind e rusëve thanë se do të ishte “e drejtë që Rusia të përdorte forcë ushtarake edhe për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO… dhe nëse ndihet e kërcënuar nga ndonjë aktivitet i huaj në ish-shtetet sovjetike”. Këto janë dy narrativët që Putini ka përdorur për të justifikuar agresionin rus kundër Ukrainës.

Saktësia dhe dinamika e shifrave të tillë është vështirë të matet në Rusi, por të dhënat sugjerojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë e mbështesin Qeverinë, dhe nuk është e vështirë të gjesh rusë që e thonë të njëjtën gjë.

“Jam për Putinin”, tha një grua më 3 mars, kur gazetarët e Current Time tentuan që t’i tregonin fotografi të shkatërrimit të Ukrainës. “E mbështes Putinin. As nuk dua t’i shoh fotografitë. Jam me Putinin. E mbështes Putinin në çdo gjë”.

/GazetaSinjali/