Rrjeti social “Facebook” vazhdon të ketë një ndikim masiv të informimit të qytetarëve të Kosovës me ngjarjet e fundit në vend, qoftë nga leximi i portaleve, e qoftë edhe nga leximi i reagimeve të politikanëve ku njoftojnë për aktivitetet e tyre politike, raporton Gazeta Sinjali.
Për t’u ndalur tek këta të fundit, me aq sa shihet nga aktiviteti i tyre në këtë rrjet social, duket se “Facebook-u” është mjeti kyç për të komunikuar me qytetarët e vendit.
Presidentja, Vjosa Osmani ndiqet nga 412 mijë llogari në “Facebook”, ndërsa vetë është ndjekëse e vetëm 13 llogarive, ku mes tyre bëjnë pjesë faqja zyrtare e Presidencës, presidenti i Ukrainës, Turqisë e ai i Francës.
Postimet e saj në këtë rrjet social janë goxha të shpeshta, të cilat kryesisht janë njoftime të rrugës së saj politike, e shumë pak të jetës personale.
Duke pasur parasysh numrin e ndjekësëve, numri i pëlqimeve për postim bie nën mesatarën e për qindjes së tyre. Në fotografitë e fundit të postuara nga Osmani, ku njoftoi për takimin me pjesëmarrësit e festivalit ndërkombëtar “NEWBORN Kosova”, ajo ka vetëm 963 pëlqime. Ndërsa, në lidhjen e saj të fundit direkte, ku foli për fillimin e muajit të rinisë, ajo mori 3 mijë e 800 qind pëlqime, dhe u shikua nga 53 mijë persona. Për shtatë ditë ajo postoi gjashtë herë në këtë rrjet social.
Për dallim nga presidentja, kryeministri i Republikës së Kosovës duket se mbanë ‘bajrakun’ mbi të gjithë politikanët e Kosovës për numrin e pëlqimeve në një postim njoftues për aktivitetet politike.
Ndiqet nga 534 mijë llogari, ndërsa nuk ndjekë asnjë të vetme.
Për vetëm 1 orë, në videon e fundit të postuar nga ai, e cila kishte përmbajtje vizitën e tij në Tetovë, ai mori rreth 9 mijë pëqime, 546 komente, 416 shpërndarje, e u shikua rreth 30 mijë herë.
Ndërsa, i njëti postim, rreth 14 orë pas pubilikimit ka shkuar gjithsej në 18 mijë pëlqime, 1 mijë komente, 885 shpërndarje, e u shikua nga 101 mijë persona.
Edhe Kurti “Facebook-un” e përdor për punë, e jo për jetën personale. Në krejt postimet e tij, ato personale mund te numërohen fare lehtë.
Në shtatë ditët e fundit, ai postoi 16 postime njoftuese.
I pari i Kuvendit të Repulikës së Kosovës, Glauk Konjufca ndiqet nga 112 mijë persona, ndërsa ndjekë vetëm dy llogari, Albin Kurtin e Lëvizjen Vetëvendosje!.
Postimi i fundit i tij është një reagim ku ndëshkoi sulmin ndaj një gazetari në protestën e organizuar kundër festivalit të filmit “Doku fest”.
Reagim ky i cilësuar si i panevojshëm, gjë që rriti edhe numrin e komentuesve. Duke krahasuar me dy figurat e lartë cekura, kryekuvendari poston mjaft pak. Fotografia e fundit e tij, është portreti familjar i tij, foto kjo e cila u pëlqye nga 16 mijë e 100 qind persona.
Edhe kryetari i partisë më të madhe opozitare – PDK-së, Memli Krasniqi, “Facebook-un” e përdor për çështje profesionale. Ndiqet nga 55 mijë persona, ndërsa ndjekë 27 të tillë, kryesisht figura të partisë së tij.
Postimi i fundit i tij ka mjaft pak pëlqime, vetëm 183. Ndërsa video e fundit e tij u shikua nga rreth 70 mijë persona, u pëlqye nga 947, e u komentua nga 156.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiu në shtatë ditët e fundit ka vetëm dy postime. Ndiqet nga 77 mijë llogari, ndërsa ndjekë vetëm një, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Edhe Abdixhiku “Facebook-un” po e përdor për punë, por që nuk mungojnë edhe postimet nga jeta e tij personale.
Videoja e fundit e tij ku pati disa kritika për qeverisjen e Kurtit, si dhe ku foli për disa takime të quajtura si “rruga e re”, u shikua nga rreth 33 mijë persona, u pëlqye nga 2,7 mijë, e u komentua nga 523 qytetarë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ndiqet nga 266 mijë llogari, ndërsa ndjekë vetëm 4, kryesisht faqe zyrtare të partisë së tij.
Në shtatë ditë e fundit ka postuar tri postime. Një postim kishte të bënte me çështje politike, postimi tjetër me çështje atdhetare, dhe i fundit ishte një postim nga jeta personale.
Secili nga krerët e institucioneve shtetërore e përdor edhe rrjetin social “Instagram”, por është vetëm Memli Krasniqi i cili këtu poston për çështje personale, të tjerët i kanë postimet e ngjajshme me ato të “Facebook-it”.
Edhe në Instagram, kryeministri Kurti kryeson me numrin e ndjeksëve. Pasohet nga presidentja Osmani, pastaj nga Haradinaj, Krasniqi, Konjufca e Abdixhiku.
Të njëjtit kanë llogaritë e tyre edhe në “Twitter”, ku njoftojnë vetëm për çështje profesionale në gjuhën angleze, por që aktiviteti i tyre në “twitter” është më i rrallë.
Edhe këtu për nga numri i ndjekësve kryeson Kurti, pasohet nga Osmani, Ramushi, Krasniqi, Abdixhiku e Konjufca.