image Çfarë po ndodh: MASH hesht, shkollat planifikojnë pushim të hënën kundër vendimit të Qeverisë

Arsim

Çfarë po ndodh: MASH hesht, shkollat planifikojnë pushim të hënën kundër vendimit të Qeverisë

news image

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, të datës 14 gusht është vendosur që në ditët e festave zyrtare kur i bie e shtunë ose e diel, nuk do të pushohet më të hënën, shkruan Gazeta Sinjali.

Pavarësisht kësaj, me rastin e festës së 28 Nëntorit, shumë shkolla fillore të vendit kanë paralajmëruar se të hënën do të jetë ditë pushimi, duke u bazuar në kalendarin e vitit shkollor të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Duke u bazuar në këtë kalendar,  gjatë ditës së sotme, në një përgjigje për Gazetën Sinjali nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kanë thënë se të hënën do të jetë ditë pushimi dhe shkollat nuk do të jenë të hapura.

“Të hënën do të ketë pushim, me kalendar është e paraparë të jetë pushim, kështu që shkollat e kanë pushim. Është në web-faqe kalendari i  vitit shkollor, edhe kalendari i vitit shkollor është i përcaktuar prej ditëve te punës dhe të pushimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithatë nga MASH paralajmëruan se gjatë ditës do të dalin me një komunikatë për media, gjë që nuk ndodhi.

Por një njoftim e dha kryeministri Avdullah Hoti, ku bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që dita e hënë, të jetë ditë e rregullt e punës në të gjitha institucionet shtetërore, në institucionet arsimore në të gjitha nivelet, ku do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat antiCOVID.

Megjithatë si duket jo të gjithë do ta respektojnë këtë vendim.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Rahovecit ka bërë një postim në Facebook pas njoftimit të Qeverisë, ku thuhet se dita e hënë do të jetë ditë pushimi.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtorin e Arsimit në këtë komunë,  Avni Morina, i cili tha se kanë pritur gjatë ditës një njoftim nga MASH, por ende nuk e kanë marrë. Prandaj, sipas tij, njoftimi bazohet në kalendarin e vitit shkollor.

“Ne jemi bazuar në kalendarin vjetor nga MASH, që është pjesë e Qeverisë. Mund të jetë ndonjë gabim në statusin e Kryeministrit. Nuk kemi njoftim tjetër nga MASH për këtë ditë. U zhgënjeva kur e pashë postimin e kryeministrit Hoti, sepse ne gjatë gjithë ditës i kemi njoftuar shkollat se e hëna është pushim. Të dalim tash me një njoftim tjetër për ta demnatuar këtë po më duket qesharake”, tha Morina.

Duke mos pasur ende një njoftim nga MASH, Gazeta Sinjali kontaktoi Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, për t’i pyetur se a ka pasur koordinim mes këtyre dy institucioneve lidhur me ditën e hënë.

Në një përgjigje të shkurtër nga ZKM kanë thënë për Sinjalin: “Po, patjetër që janë koordinuar.”

Pas njoftimit të Qeverisë, Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë disa herë me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likajn, por edhe me zyrtarë të tjerë nga MASH, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

/GazetaSinjali/